Kërkohet paraburgim ndaj tre personave për vrasje në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të dyshuar lidhur me rastin e ndodhur më 10 gusht në Gjakovë, ku pas një mosmarrëveshjeje disa persona janë përfshirë në rrahje dhe një person është plagosur me armë zjarri. Sipas komunikatës së Prokurorisë, me vendim të prokurorit janë ndaluar tre…

Lajme

11/08/2026 14:06

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të dyshuar lidhur me rastin e ndodhur më 10 gusht në Gjakovë, ku pas një mosmarrëveshjeje disa persona janë përfshirë në rrahje dhe një person është plagosur me armë zjarri.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, me vendim të prokurorit janë ndaluar tre të dyshuarit, me inicialet H.D., A.D. dhe E.G., për 48 orë, ndërsa është ndaluar edhe një i mitur për 24 orë.

Prokuroria ka bërë të ditur se ka filluar hetimet dhe ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e paraburgimit ndaj tre të pandehurve.

Ndaj H.D. ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkaq, A.D. dhe E.G. dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Edhe i mituri, i cili është ndaluar për 24 orë, dyshohet për pjesëmarrje në rrahje, ndërsa rasti ndaj tij do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se, në bashkëpunim me autoritetet kompetente, po ndërmerr të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe sigurimin e provave relevante. /Lajmi.net/