Kërkohet inspektim mbi klinikat private rreth çështjes së abortit

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis ka publikuar raportin “Abortet në Kosovë”.

Lajme

11/10/2019 13:33

Me këtë rast është organizuar diskutim me ekspertë të fushës së shëndetit riprodhues dhe seksual.

Gjatë këtij takimi është theksuar se shumica e aborteve kryhen nëpër klinikat private. Madje hulumtuesja nga KIPRED, Donjeta Morina, ka thënë se disa prej aborteve kryhen edhe pas muajit të pestë të shtatzënisë.

“Në hulumtim janë dëgjuar disa citate tepër problematike. Për shembull vrasja e një foshnje nuk lejohet as nga feja dhe as nga shkenca. Një profesioniste ka thënë se gratë që kërkojnë abort është njëjtë sikur të kërkojnë ta mbysësh një fëmijë që e ke në shtëpi”.

“Një problem i madh që përmendet në të gjitha hulumtimeve është fakti se një numër i madh i abortimeve kryhen në klinika private dhe këto raste mbesin të pa-raportuara”.

“Gratë e pamartuara i preferojnë këto klinika për shkak të fshehtësisë. Gratë e pranojnë se në klinika private kryhen aborte edhe pas muajit të pestë nëse e ke ndonjë të afërm apo nëse paguan një sasi të majme parash”.

“Ekzistojnë edhe abortet që nxiten vet në shtëpi. Një prej këtyre hapave është Misoprostoli që vazhdon të shitet ilegalisht nëpër barnatore. Të gjitha farmacistet kanë thënë se nuk e sheshin këtë medikament. Por ekzistojnë edhe metodat tradicionale të cilat vazhdojnë të aplikohen”.

Në këtë takim është rekomanduar që të ketë inspektim më të madh mbi klinikat private. Gjithashtu është kërkuar që të rritet numri i hulumtuesve në mënyrë që trajtohet më mirë problemi i aborteve në Kosovë.