Kërkimfalja s’është punë për mua

Ivica Dacic thotë se nuk i përket atij të kërkojë falje për krimet ndaj shqiptarët. Pohon se puna e tij është “të shikojë kah e ardhmja”. E në këtë të ardhme, ai nuk parasheh njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kështu foli sot ai në Graçanicë.

Lajme

14/01/2014 15:23

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, gjatë qëndrimit të sotëm në Graçanicë, është shprehur se nuk është punë e tij që të kërkojë falje për krimet që Serbia i ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitet 1998- 1999.

Në një përgjigje që mund të shihet edhe si hedhje e përgjegjësisë te Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, shefi i qeverisë serbe është shprehur se punë e tij është “të shikojë kah e ardhmja”.

“Mendoj se kushdo që ka kryer çfarëdo krimi, pavarësisht a është pjesëtar i popullit serb apo shqiptar, duhet të përgjigjet”.

“Nuk është puna ime të kërkoj falje. Puna ime është që të shikoj kah e ardhmja”.

“Mendoj se është e mundshme të arrihet marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve tona në kuptimin që të bëhet e mundur jeta e përditshme në Kosovë”.

“E dini se Beogradi dhe Prishtina kanë qëndrime të ndryshme sa i përket statusit. Ne nuk e kemi ndryshuar qëndrimin, bisedimet tona në Bruksel nuk kanë karakter të statusit”, është shprehur Dacic.

Ai ka thënë se vazhdimi i dialogut me Kosovën do të bëhet më 27 janar, e jo siç ishte paralajmëruar një ditë më parë për 28 janar. Këtë ndryshim Dacic e ka arsyetuar me obligimet e Përfaqësueses të Lartë të BE’së për Politikë  të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

“Qëllimi është që të analizohet dialogu dhe të shohim ku është gjendja aktuale dhe cilët do të jenë hapat e ardhshëm”.

“Serbia është e gatshme që ky dialog në Bruksel të vazhdojë dhe dëshirojmë që të zgjidhen të gjitha çështjet e mbetura”.

“Mendoj se është e rëndësishme që procesi i konstituimit të asambleve komunale është kryer”.

“Tani duhet të arrihet marrëveshje për themelimin e Bashkësisë së Komunave, duhet të bëhet statuti i saj. Kemi shumë tema siç janë gjyqësori, pronat, Kisha Ortodokse Serbe”.

Kur është pyetur nëse ende e mbështet ndarjen e Kosovës, opsion të cilin e ka favorizuar shumë shpesh, Dacic ka thënë se si Kryeministër i Serbisë, nuk ka të drejtë të japë mendime personale.

Por Dacic, duke folur për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, ka thënë se pret që përsëritja e zgjedhjeve në Mitrovicën e veriut të mos e vonojë procesin.

“Mendoj se nuk do të ngadalësohet formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe pasi që vendimet i merr asambleja komunale dhe nuk është vetëm Kryetari i Komunës”.

“Serbia merr pjesë në dialog në mënyrë që sa më shumë të normalizohen marrëdhëniet tona dhe jeta e njerëzve në Kosovë dhe jo që ta pranojmë pavarësinë e Kosovës. Ne atë nuk e pranojmë”.

“Dëshirojmë që të bisedojmë për të gjitha çështjet. Kjo ka mundur të jetë temë bisedimesh, por nuk është. Bisedimet janë neutrale ndaj statusit”, ka thënë Dacic.