Kërkesa e shoqatave të luftës për regjistrim të studentëve pa kritere, e padrejtë

Kërkesa e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, drejtuar Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ramdan Zejnullahu  për regjistrim të të gjithë studentëve të cilët janë në listën e këtyre shoqatave është vlerësuar si e padrejtë nga eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci.

Lajme

13/11/2014 12:22

Ai thotë se kërkesa e këtyre shoqatave që të regjistrohen të gjithë studentët që janë në listën e tyre, pa plotësuar kriteret themelore, paraqet problem.

Pupovci për lajmi.net ka thënë se të gjithë studentët pavarësisht se nga cila kategori janë duhet t’i plotësojnë kriteret akademike.

“Mendoj se është e padrejtë që të kërkohet të regjistrohen kandidatët të cilët nuk e kanë kaluar pragun edhe në provimin pranues siç edhe kërkohet, sepse, pavarësisht nga ajo se prej cilave familje burojnë,  studentët duhet  t’i plotësojnë kriteret  themelore akademike për të hyrë në Universitet”.

“Problemi tjetër paraqet numri jashtëzakonisht i madh i kandidatëve  të cilët ndodhen në listat e shoqatave të luftës, të cilët Universiteti nuk mund t’i absorboj”, ka thënë ai.

Pupovci  vlerëson se regjistrimi i një numri kaq të madh të studentëve do të kishte ndikim negativ në rrjedhën e punës së Universitetit, pasi  sipas tij është edhe një numër i madh i kandidatëve të cilët nuk kanë arrit të regjistrohen për të dhjetat e pikës.

Ai duke komentuar deklaratat e përfaqësueseve të organizatave të dala nga lufta të cilët thirren në një memorandum të nënshkruar në vitin 2009, mes Ministrisë së Arsimit, Universitetit të Prishtinës dhe Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, ka thënë se ky memorandum po keqinterpretohet.

Sipas tij, në memorandum parashihet që Universiteti  t’ ju ofrojë ndihmë shoqatave të luftës me rastin e regjistrimit dhe këtë e ka bërë në afatin e dytë, duke u ofruar të gjithë kandidatëve që vinë nga këto lista pesë pikë shtesë qysh në start dhe mundësinë që të kenë përparsëi nëse ata/ato që kanë pikë të barabarta me kandidatët tjerë.  

“Por tani duke u thirrur në këtë formulim shoqatat e luftës kërkojnë që pa asnjë forcë të regjistrohen  të gjithë kandidatët dhe mendoj se ky është një keq interpretim  i memorandumit, aq më parë kur ekzistojnë ligjet  të cilat thonë shumë qartë se këto kategori kanë përparësi me rastin e regjistrimit, por theksohet po ashtu shumë qartë në kushte të barabarta. Do të thotë nëse dy kandidatë do të ishin me pikë të njëjta në atë rast do të kishte përparësi kandidati që vjen nga shoqatat e luftës. Ajo që po kërkohet këtu është përtej ligjit dhe për tej memorandumit”, ka thënë Dukagjin Pupovci për lajmi.net.

Ministria e Arsimit i ka rekomanduar Rektoratit të zbatojë memorandumin, ndërsa Shoqatat e luftës kanë paralajmëruar se do të presin edhe sot nëse drejtuesit e UP-së do të marrin parasysh kërkesën e tyre për t’i regjistruar njëmijë studentë të familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës, në të kundërtën ata nuk i kanë përjashtuar as protestat.