Kërkesa e Osmanit dërguar në Kushtetuese – flasin nga Nisma: Shembull i sjelljes së përgjegjshme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shqyrtimin e një konflikti kompetencash kushtetuese që sipas saj është krijuar nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës. “Sot, në përmbushje të përgjegjësisë time kushtetuese për të garantuar funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve të vendit, kam paraqitur kërkesë…

Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shqyrtimin e një konflikti kompetencash kushtetuese që sipas saj është krijuar nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës.
“Sot, në përmbushje të përgjegjësisë time kushtetuese për të garantuar funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve të vendit, kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga mungesa e konstituimit të Kuvendit të Kosovës,” deklaroi Osmani.
Në lidhje me kërkesën e Presidentes Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese janë deklaruar nga Nisma Socialdemokrate.
Deputetja e këtij subjekti politik, Xhevahire Izmaku, tha se kërkesa e Presidentes është veprim institucional dhe i qëndrueshëm në përputhje me kompetencat kushtetuese që ajo ka.
Ajo tha se është e drejtë dhe e domosdoshme që të kërkohet interpretim nga institucioni më i lartë kushtetues në situatën kur kriza politike bllokon funksionimin normal të Kuvendit.
“Kërkesa e Presidentes Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese është një veprim institucional dhe i qëndrueshëm në përputhje me kompetencat kushtetuese që ajo ka. Në situata kur kriza politike bllokon funksionimin normal të Kuvendit dhe vendit, është e drejtë dhe e domosdoshme që të kërkohet interpretim nga institucioni më i lartë kushtetues” tha Izmaku.
Izmaku potencoi se një veprim i tillë është ‘shembull i sjelljes së përgjegjshme që ruan rendin kushtetues dhe stabilitetin institucional’
“Ky është shembull i sjelljes së përgjegjshme që ruan rendin kushtetues dhe stabilitetin institucional” tha Izmaku në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
Kujtojmë se dje ka dështuar për herë të 50-të të konstituohet Kuvendi. Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në kandidaturën e Albulena Haxhiut, kandidaturë e cila nuk po votohet nga ish-partitë opozitare.