​Kërkesa e MPJD-së për shpenzimet, Osmani: Presidenca ka qenë gjithnjë institucioni më transparent

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani deklaroi se “presidenca ka qenë gjithnjë institucioni më transparent në vend”. Kështu komentoi ajo kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila kërkoi nga ambasadat e Kosovës të dhëna lidhur me shpenzimet që janë bërë për vizitat e presidentes, raporton KosovaPress. E para e shtetit në konferencën ku njoftoi…

Lajme

22/07/2025 17:23

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani deklaroi se “presidenca ka qenë gjithnjë institucioni më transparent në vend”. Kështu komentoi ajo kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila kërkoi nga ambasadat e Kosovës të dhëna lidhur me shpenzimet që janë bërë për vizitat e presidentes, raporton KosovaPress.

E para e shtetit në konferencën ku njoftoi se kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për qartësimin e afatit 30 ditor për konstituim të kuvendit, tha se ka transparencë të plotë mbi çdo aktivitet brenda mandatit të saj si presidente.

“Kjo është çështje teknike, ju kisha lutur t’i adresoni stafit lidhur me të, sepse nuk po i di detajet e çështjeve që i ngritët. Jemi duke u marrë me çështje të rëndësisë shtetërore dhe ju kisha lutur të fokusoheni tek ajo. Si parim i përgjithshëm edhe pse nuk po i di detajet e kësaj që ju i përmendët, si parim i përgjithshëm presidenca ka qenë gjithnjë institucioni më transparent në vend. Kurrë asnjë gjë, është e vërtetë sa i përket publikimit të çdo shpenzimi, gjithçka jemi transparent dhe do ta mbrojmë me krenari çdo punë, çdo angazhim në interes të Republikës së Kosovës. Sepse vetëm e vetëm në interes të Republikës së Kosovës ka qenë. Pyetja juaj ka të bëjë me çështje teknike, të cilat besoj që në qoftë se i adresoheni stafit mund të ju japin të gjitha përgjigjet. Çfarë do që ju duhet, transparencë e plotë mbi çdo aktivitet tonin politik brenda mandatit tonë si presidente e Republikës”, deklaroi Osmani.

Ndërkohë, sot është raportuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar nga Ambasadat e Kosovës të dhëna mbi shpenzimet që janë bërë për vizitat e të parës së shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani në shtetet ku ajo ka pasur vizita.

Sipas raportimeve, kërkesa e MPJD-së është për shpenzimet, akomodimin, sigurimin, ushqimin, veturat, e bile edhe për karburantet.