“Kërkesa e lartë e oferta e ulët në muajt e ftohtë” – Peci tregon pse në Kosovë një kilogram speca po kushton 5 euro

Ministri i Bujqësisë dhe kryetari i partisë ‘Guxo’, Faton Peci, tha se çmimi i lartë i specave në treg gjatë dimrit është rezultat i zbrazëtisë së prodhimit vendor dhe varësisë nga importi. Ai tha se kërkesa e lartë dhe oferta e ulët në muajt e ftohtë ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të produkteve bujqësore…

Lajme

25/03/2025 22:15

Ministri i Bujqësisë dhe kryetari i partisë ‘Guxo’, Faton Peci, tha se çmimi i lartë i specave në treg gjatë dimrit është rezultat i zbrazëtisë së prodhimit vendor dhe varësisë nga importi.

Ai tha se kërkesa e lartë dhe oferta e ulët në muajt e ftohtë ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të produkteve bujqësore si specat.

“Raporti i kërkesës edhe ofertës është kjo që po ndodh. Kërkesa në Kosovë po është e madhe gjatë periudhës së dimrit për speca. Por për shkak të kushteve klimatike që ne i kemi, kemi një zbrazëti të periudhës së prodhimit dhe rrjedhimisht kostot e importit po i rrisin çmimet”, deklaroi Peci në ATV.

Ai tha se po punohet intensivisht për të rritur prodhimin vendor dhe eksportin, duke përmendur rritje të ndjeshme në sektorin e domates si shembull i suksesit.

“Vetëm për domate, kur kam marrë detyrën si ministër, Kosova ka eksportuar 135 tonë. Në vitin 2024 janë eksportuar 2,900 tonë, që është një rritje prej 2048 për qind vetëm për një produkt”, tha Peci.