Kërkesa e Kushtetueses krijon paqartësi në KPK
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) mori vendim që t’i dërgojë Gjykatës Kushtetuese dokumentacionin e kërkuar për përzgjedhjen e kryeprokurorit të Shtetit.
Lajme
Disa nga anëtarët e këtij Këshilli e kanë quajtur jo ligjore kërkesën e Kushtetueses në lidhje me kërkesën e saj.
Anëtarja e këtij Këshilli, Sevdije Morina tha se Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë ligjore që të kërkojë informacione në hollësi.
Anëtari tjetër i KPK-së, Jetish Maloku tha se nuk mund të jenë kundër kësaj kërkese, por siç tha, nëse lexohet me vëmendje kjo kërkesë në faqen e dytë, shihet qartë se gjuha e përdorur në fund, po i sjell njëfarë mënyre para një akti, dhe sikur po i kushtëzon.
Florent Muçaj tha se nuk e sheh këtë gjuhë të gjykatës si kërcënim, por e sheh si një përshkrim të detyrimeve ligjore që ajo ka, pasi sipas tij, kushtetuesja ka detyrim ligjor që të veprojë edhe në bazë të praktikave në këtë mënyrë.
Ndryshe përgjatë këtij takimi është diskutuar edhe për mandatet e anëtarëve të KPK-së, ku edhe në këtë pikë pati diskutime të shumta dhe me mospajtime të ndryshme rreth kësaj çështje, por kjo është shtyrë që anëtarët e KPK-së të mbajnë edhe një takim tjetër të radhës.