Kërkesa e Gjuriqit, ndërhyrje në sistemin e drejtësisë

Deklarata e Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, cili ka konfirmuar se do të marr pjesë në protestën e organizuar kundër gjykimit të Oliver Ivanoviq, po cilësohet si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë së Kosovës, nga njohës të fushës së drejtësisë.

Lajme

13/08/2015 16:54

Betim Musliu nga Instituti Kosovar për Drejtësi  (IKD), ka thënë  se ç’do deklaratë  që vije nga politikanë e cila kë të bëjë me një proces gjyqësor është ndërhyrje në punët e drejtësisë.

“Çfarëdo kërkesë nga kushdo e sidomos nga politikanët që vije në drejtim të gjyqësorit dhe që ndërlidhet me vendimet gjyqësore paraqet ndërhyrje të pastër në pavarësinë e gjyqësorit. Në këtë rast Gjuriq, prej një cilësie të diplomatit, vazhdimisht cenon pavarësinë e gjyqësorit në Kosovë përmes deklarimeve të tij dhe kjo është presion i drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e gjykatësve”, tha Musliu, për lajmi.net.

“IKD vlerëson se kjo është ndërhyrje në vendimmarrjen e gjykatësve, të cilët janë të pavarur në ushtrimin e funksionit të tyre në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe si e tillë duhet kuptuar dhe duhet të ndërpritet”,ka thënë Musliu.

I pyetur për pjesëmarrjen  në protestë të  Gjuriqit si  zyrtarë i Serbisë kundër një vendimi të një gjykate në Kosovë, Musliu është shprehur se kjo është e drejtë, por qëllimi i protestës dhe mënyra e pjesëmarrjes së tij, paraqet ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

“Sa i përket pjesëmarrjes së Gjuriqit në proteste, kjo është  e drejtë elementare që të protestojë, por qëllimi i protestës dhe cilësia në të cilën ai merr pjesë në këtë proteste paraqet ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit”, ka deklaruar Musliu.

Ndryshe serbët e veriut për nesër kanë paralajmëruar se do të organizojnë protestë në veri të Mitrovicës, që për kërkesë kryesore ka lirimin nga paraburgimit të të dyshuarit për krime lufte, Oliver Ivanoviq.