Kërkesa e Erdoganit për mbylljen e shkollave të Gülenit, politike
Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Sajmir Tahiri e ka cilësuar si politike kërkesën e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili gjatë vizitës së tij në Tiranë i kërkoi qeverisë shqiptare që të dëbonte nga Shqipëria lëvizjen Gülen, të cilën Erdogan e quan një organizatë terroriste.

Lajme
Këtë deklaratë ministri Tahiri e bëri sot gjatë një konference për shtyp që pati në mesditë, ku foli për luftën dhe masat e përbashkëta që rajoni i Ballkanit do të marrë kundër terrorizmit në samitin rajonal që nis punimet nesër.
Tahiri shtoi se kërkesa e Erdoganit ka marrë përgjigjen e duhur nga instancat përkatëse.
“Është më shumë kërkesë politike që ka marrë përgjigjen e duhur nga instancat përkatëse se sa kërkesë që ka të bëjë me sigurinë, sepse sa i takon përpjekjes sonë të përbashkët në luftën kundër terrorizmit, agjencitë ligj-zbatuese dhe partnerët tanë, të gjithë bashkë kemi zgjedhur mënyrën e hartimit të përbashkët të katalogut të riskut dhe të rreziqeve në secilin vend, në rajon dhe në nivel global. Ne i përgjigjemi sfidave në luftën kundër terrorizmit duke bashkëpunuar me partnerët, duke shmangur maksimalisht që lufta kundër terrorizmit të politizohet për agjenda të ngushta kombëtare nga cilido qoftë,” tha Tahiri.
Duke folur më tej për luftën kundër terrorizmit ministri Tahiri tha se nesër që në mëngjes fillojmë punimet e Samitit Rajonal lidhur me përpjekjet e Shqipërisë dhe vendeve të rajonit në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. /KosovaPress/