Kërcënimi nga sekretarët e Kokëdhimës ishte paralajmëruar më parë
Para zbulimit të skandalit me Agron Cane, sekretarin e deputetit Koço Kokëdhima i cili ofronte punë në këmbim të seksit me të mitura, një tjetër sekretare e këtij deputeti është vënë në qendër të kritikave.

Lajme
Laureta Ferati, një tjetër sekretare e Kokëdhimës është kritikuar hapur nga vetë radhët e PS, nga deputeti Fatmir Toci.
Në një publikim më 29 Korrik, sipas Tocit, Laureta me telefon në vesh bën presione në institucione shtetërore për të punësuar njerëz jashtë kritereve të përcaktuara nga ligji.
Deputeti socialist mandej thotë se ky fenomen është përhapur kaq shumë sa bën apel që të ruhen nga sekserë të tipit Laureta që u mbrohen krahët nga njerëz me ndikim nga lart.
Fatmir Toci: Fenomeni Laureta – ruhuni nga manipulatorët
I I vumë këtë emër, që nuk nënkupton këtu ndonjë person të caktuar dhe në fakt mund të ketë çdo lloj emri tjetër, dikush që për t’u treguar ekstremisht i zellshëm bën çdo gjë që i thotë shefi i tij, për të mbajtur një vend pune, për t’u dukur interesant dhe i rëndësishëm, për të treguar se ka miq potent, për të shfryrë ca mllefe te akumuluara ndaj atyre që nuk e paskan kuptuar se ç’vlera mbart në vetvete apo thjesht për të qenë dikushi në këtë shoqëri të mjerë ku interesaxhinjtë e paskrupullt e dallkaukët dalin gjithmonë mbi ujë; ndërkohë që idealistët, ata që duan ta jetojnë jetën ndershmërisht dhe me normat e një shoqërie të shëndoshë mbeten gjithmonë të vonuar për të kapur trenin e kohës.
Një sentencë e gjatë dhe e pakuptimtë mund të duket hyrja e këtij statusi për të shprehur shqetësimin se, përpos përpjekjeve dhe arritjeve për të ndërtuar një shtet dhe shoqëri të re, ku themelet po hidhen me kujdes, të zhveshur nga viruset e korrupsionit, interesat, nepotizmi, akraballëku, po mbijnë në jo pak raste dhe jo rrallë tipet e lauretave. Lauretave me zarfa në dorë e telefonin në vesh që nuk pushon kurrë duke bërë presion mbi institucionet apo njerëzit e ngarkuar me përgjegjësi të caktuara, për të punësuar persona jashtë kritereve të përcaktuara nga ligjet e shtetit dhe udhëzimet e dhëna nga organet e autorizuara, duke kërkuar favore të pamerituara për njerëz që i ndërrojnë si rrobat e palara kartat e partive për të ruajtur vendin e punës dhe interesa të tjera të fituara padrejtësisht ndër vite.
Ju nuk mund ta besoni po janë këto Laureta që pranojnë të përdoren nga “njerëz me ndikim atje lart” për të bërë sekserin, deri në provokime drejtuesve apo specialistëve të ndryshëm që të japin dorëheqjen me të mirë, që bëjnë plane e pasqyra punësimesh, që flasin në emër të deputetëve, kryetarëve, këshilltarëve apo njerëzve të tjerë që drejtojnë institucione të ndryshme të shtetit, që shprehen hapur se vijnë në emër të këtij apo atij pushtetari.
Dua t’u them të gjithë drejtuesve të institucioneve shtetërore në qendër dhe në rrethe që të mos bëhen pre’ e manipulatorëvev të tillë; se shteti ka ligje dhe zbatimi i tyre bëhet në mënyrë transparente, me udhëzime të qarta dhe duke zbatuar të gjitha hallkat e përcaktuara për kryerjen sa më mirë të të gjitha funksioneve.
Koha e mikut, emërimeve nepotike dhe me bazë interesin, si dhe e zarfit të mbyllur ka marrë fund. Çdonjëri është i mirëpritur dhe i ftuar të informojë, denoncojë dhe kërkojë llogari për moszbatimin e ligjit për çdo gjë që do ti duket e padrejtë.
Reagon Laureta Ferati:
Më 30 Korrik, në Facebook përgjigjet Laura Ferati, sekretare e Koço Kokëdhimës. Sipas saj, puna e saj ka shqetësuar disa burra që dhe një fenomeni të caktuar i vendosin emër femre. Ajo garanton se punon krah me ligjin dhe se shkelësit e këtij të fundi, janë të sfiduar hapur prej saj.
“Edhe pse me pushime, jehona e punës time vazhdon. Mesa duket puna ime po intimidon edhe disa “baballarë” të kombit, të cilët janë aq “burra” sa edhe fenomenit i vënë emër të gjinisë femërore! Deklarata të vakta e të pabaza, nuk do të më bëjnë kurrë të tërhiqem nga përkushtimi ndaj punës me qytetarët.
Sfida vazhdon edhe më fortë…ndaj çdo shkelësi të ligjit dhe zbatimit të parimeve të mirëqeverisjes!” (BW)