Kërcënimi i Vulinit për Kosovën, Sveçla: Precedent i rrezikshëm – Këto përpjekje për destabilizim, të marrin vëmendjen e ndërkombëtarëve
Ish-shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin, aktualisht kryetar i Lëvizjes Socialiste në Serbi, ka kërcënuar me sulme kundër Kosovës, kryeministrit Albin Kurti dhe çdo individi që, sipas tij, ndjek politika antiserbe. Vulin, në një emision në mediat serbe, ka thënë se Serbia duhet të veprojë në Kosovë ashtu siç, sipas pretendimit të tij, vepron Izraeli përmes…
Lajme
Ish-shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin, aktualisht kryetar i Lëvizjes Socialiste në Serbi, ka kërcënuar me sulme kundër Kosovës, kryeministrit Albin Kurti dhe çdo individi që, sipas tij, ndjek politika antiserbe.
Vulin, në një emision në mediat serbe, ka thënë se Serbia duhet të veprojë në Kosovë ashtu siç, sipas pretendimit të tij, vepron Izraeli përmes Mossad-it kundër atyre që i konsideron armiq.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste në Serbi, Aleksandar Vulin, ish-shef i BIA-s, ka kërcënuar Kosovën dhe kryeministrin Albin Kurti.
Ai deklaroi në një emision në mediat serbe se Serbia dhe BIA duhet të veprojnë në Kosovë njësoj siç, sipas tij, Izraeli dhe Mossadi veprojnë ndaj atyre që janë kundër interesave të tyre.
“Shteti serb duhet të veprojë. Unë, pas kësaj, do të kërkoja nga shërbimet tona të krijojnë një plan të qartë se si do të merremi me individë me emër e mbiemër, të cilët janë bartës të politikave antiserbe, e ata le të mendojnë se çfarë do t’u ndodhë. Mundet Izraeli, mundet Mossadi, pse s’mundet shërbimi serb, pse s’mundemi ne?”, ka thënë Vulin.
Se Serbia ka kryer sulme kundër shqiptarëve, këtë ai nuk e ka mohuar. Përkundrazi, Vulin ka deklaruar se dinë ta bëjnë këtë “punë” mirë. Ai ka kërcënuar edhe kryeministrin Kurti dhe secilin që ndjek politika antiserbe.
“Nuk është se kurrë nuk kemi bërë gjëra të tilla; e dimë si bëhen ato. Askush nuk na ka frikën. Kurti nuk e ka aspak problem t’u ikë marrëveshjeve, sepse nuk frikësohet se do të ketë pasoja, as ai e as të tijtë”, ka thënë ai.
Sipas Vulinit, Serbia duhet të ndërhyjë në mënyrë që Kosova t’ia ketë frikën Serbisë. Aktualisht, Vulin nuk mban asnjë pozitë shtetërore. Megjithatë, ai ka shërbyer në qeverinë e Serbisë si drejtor i Zyrës për Kosovën nga viti 2012, ministër pa portofol për Kosovën, shef i BIA-s dhe, së fundmi, zëvendëskryeministër i Serbisë.
“Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur, kërcënime të armatosura dhe operacione të shpallura kundër aktorëve të konsideruar armiq, dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan”, ka shkruar Sveçla
Ai ka thënë se Vulin kishte marrëdhënie të ngushta politike e institucioale me Rusinë, dhe për këtë SHBA-të e kanë vendosur në listën e sanksioneve, siç ka thënë Sveçla duke e përmendur edhe për lidhje dhe bashkëpunim me aktorë rusë të inteligjencës.
“Historia jonë e afërt dëshmon se strukturat e inteligjencës serbe kanë qenë të përfshira në vrasjen e veprimtarëve të shquar politikë shqiptarë, si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Prandaj, kur Vulin deklaron se inteligjenca serbe “di ta bëjë këtë”, ai i referohet një precedenti të rrezikshëm. Mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese dhe i aspiratave për veprime të dhunshme apo cënim të sovranitetit të vendeve të tjera. Në këtë kontekst, në javën e dytë të muajit shkurt, dy shtetas bjellorusë dhe një shtetas rus, pasi fillimisht kishin qëndruar në Serbi, hynë ilegalisht në Kosovë të kamufluar. Ata u ndaluan dhe u arrestuan nga institucionet tona të sigurisë dhe rasti është në trajtim. Përveç përvojës së tyre ushtarake, trajnimeve specialistike me eksploziv dhe lidhjeve me Serbinë, ata posedonin pajisje për orientim, kamuflim dhe realizim të planeve operative – elemente që përkojnë me retorikën e artikuluar nga Vulin”, ka thënë Sveçla.
Ai për deklaratën e Vulinit ka thënë se përbën një precedent të rrezikshëm dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, ndërsa për vetë Vulinin ka thënë se njihet gjerësisht si zë artikulues i qëndrimeve të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
“Institucionet e Republikës së Kosovës, në nivel të lartë profesionalizmi, po e përmbushin mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor. Ato janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, ne si bartës të institucioneve nuk zbrapsemi përballë këtyre kërcënimeve dhe do të vazhdojmë rrugën tonë drejt forcimit të Republikës sonë të pavarur dhe sovrane. Përpjekjet e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit duhet të kenë vëmendjen e plotë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë. E as Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin”, ka thënë Sveçla. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: