Kërcënimi me jetë në adresën e presidentes Vjosa Osmani, deklarohet Prokuroria Speciale

Dy ditë më parë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë një kërcënim me jetë përmes një emaili. Rastin e ka konfirmuar këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina. “Kërcënimi i fundit me jetë ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është vetëm një në vargun e gjatë të kërcënimeve të vazhdueshme që ajo ka marrë…

Lajme

21/05/2025 14:12

Dy ditë më parë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë një kërcënim me jetë përmes një emaili.

Rastin e ka konfirmuar këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.

“Kërcënimi i fundit me jetë ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është vetëm një në vargun e gjatë të kërcënimeve të vazhdueshme që ajo ka marrë ndër vite”. Kështu ka deklaruar këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, i cili ka ngritur shqetësimin për mosreagimin e institucioneve të drejtësisë ndaj këtyre rasteve.

Sipas Kupinës, përkundër dhjetëra kërcënimeve – shumica prej tyre me jetë – autorët nuk janë përballur me drejtësinë. Madje, ai thekson se në shumë raste kërcënimet janë bërë publikisht, me emër e mbiemër, nga profile të identifikueshme në rrjete sociale, madje edhe në emisione televizive.

“Ky është rasti i vetëm në historikun institucional, siç na është thënë nga vetë institucionet e sigurisë, ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë”, ka thënë Kupina.

Dje për lajmi.net në lidhje me këtë rast u deklaruan edhe nga Policia e Kosovës, të cilët thanë se kanë iniciuar rast penal.

“Policia e Kosovës ditë më parë ka pranuar informacionin që ju i referoheni, sipas procedurave është njoftuar Prokurori i shtetit dhe është iniciuar rast penal”, theksohet në përgjigjen e policisë.

Por lidhur me këtë çështje, për lajmi.net, janë deklaruar edhe nga Prokuroria Speciale, nga ku thanë se kanë autorizuar Njësinë përkatëse të policisë për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me identifikimin dhe zbulimin e kryerësit të mundshëm të veprës penale.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar informacion nga Policia e Kosovës lidhur me rastin konkret. Në kuadër të kësaj ka autorizuar Njësinë përkatëse të policisë që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me identifikimin dhe zbulimin e kryerësit të mundshëm të veprës penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Ndryshe për këtë kërcënim drejtuar presidentes, pati reagime të shumta e madje dje për vizitë në presidencë i shkoi edhe deputetja e koalicionit VV-Guxo, Albena Reshitaj.

E  gjithashtu për kërcënimin me jetë ndaj Osmanit, reagoi edhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu i cili ishte i ashpër duke thënë se këto kërcënime po bëhen si pasojë direkte e mos veprimit.

“Kur këto përsëriten, nuk janë më thjesht fjalë. Janë sistem. Janë strategji. Dhe mbi të gjitha: janë pasojë direkte e mosveprimit. Sepse askush nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë. Asnjë veprim. Asnjë përgjegjësi. Dhe kur institucionet përkatëse heshtin, dhuna natyrshëm që flet. Kur institucionet përgjegjëse nuk mbrojnë, kërcënuesit ndihen të sigurt”, shkroi Sadriu.

Në lidhje me këtë kërcënim lajmi.net ka tentuar të marrë informacione më tepër në rast se të ngjashme ka pasur edhe më herët në drejtim të presidentes dhe kur kanë ndodhur ato, por nga zyra e presidentes Osmani nuk janë dhënë detaje.

Kërcënime të ngjashme me jetë në Kosovë ka pasur dhe në drejtim të zyrtarëve të tjerë, ndaj politikanë e në numër të madh edhe ndaj gazetarëve./Lajmi.net/