“Këqyre shrafcigerin t‘mbys”, si sillet logopedi Iljasa Fazliu me fëmijët sipas stazhiereve dhe prindërve

Në duart e një logopedi shpeshherë qëndron fjala e parë e një fëmije, shpresa e një prindi dhe ardhmja e një zëri që ende nuk di të flasë. Në një dhomë terapie, aty ku fëmijët, luftojnë për çdo tingull, për çdo përparim të vogël, ku çdo zë, çdo përpjekje është një hap drejt jetës normale,…

Lajme

22/11/2025 21:09

Në duart e një logopedi shpeshherë qëndron fjala e parë e një fëmije, shpresa e një prindi dhe ardhmja e një zëri që ende nuk di të flasë.

Në një dhomë terapie, aty ku fëmijët, luftojnë për çdo tingull, për çdo përparim të vogël, ku çdo zë, çdo përpjekje është një hap drejt jetës normale, ka ankesa, zhgënjime por edhe heshtje.

Iljasa Fazliu, është defektolog-Logoped në Kliniken e Logopedisë, por, për shumë të tjerë është simbol i paprekshmërisë.

Ankesë pas ankese për qasje jo të mirë me fëmijët, sjellje të pahijshme me stazhieret, kërcënime e mungesa të vazhdueshme në punë.

Të gjitha këto të adresuara zyrtarisht, por pavarësisht gjithçkaje pothuajse asgjë nuk ka ndodhur, asnjë hetim real. Vetëm heshtje, sa herë përmendet emri i tij.

Madje, edhe kur çështja u përplas në dyert e gjykatës, ngritën dilema se sistemi nuk e trajtoi rastin si duhet dhe nuk u morrën si duhet.

Ky nuk ishte thjesht një rast i vetëm. Është një histori që tregon se si një sistem i tërë mund bëhet bashkëfajtor, për të mbrojtur një individ.

Emri i Iljasa Fazliut u bë i njohur kur nga mediat u publikua një audioincizim ku ai po fyente një vajzë tre vjeçare me autizem në kliniken e tij private.

“Ik more, ik aty….Hejj, uh sa nerva po me shkon, kush e duron këta një orë,. jepja bre jepja q***a nanen se po na… Nalu, nalu ta q**t dreqi nanen. Ik atje, ik atje, ik, mmmm, ik atje, shumë punë e madhe budallicë, çka po don, çka?…Kuh nanen s’po u durojshe ti”, dëgjohej Fazliu në këtë audioincizim.

Por, ky duket se nuk është rasti i vetëm. “Betimi për Drejtësi”, ka siguruar me dhjetëra ankesa nga prindër e stazhier për të dhe për mungesat e vazhdueshme të tij në punë.

Por, përballë këtyre ankesave dhe shkeljeve të pretenduara nga ana e Fazliut, del t’i këtë mbyllur sytë e gjithë hierarkia e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).

Sipas rrëfimeve të stazhiereve, Fazliu sillej keq me fëmijët në aq pak minuta sa ai qëndronte në seancë me ta, sepse sipas tyre në shumicën e kohës ai nuk ishte në punë.

Me qëllim të mbrojtës se identitetit të tyre, Betimi për Drejtësi, ju ka vendosur emra fiktiv, si Hana, Diella, Vera, dhe Ylleza.

Sipas stazhieres Diella, ka pasur raste kur Fazliu kishte kërcënuar fëmijët me mjete pune.

“Edhe rasti tjetër menjëherë mbas tij u kanë me një rast me artikulim më duket tingullin “dhe” ka pas me ushtruar fëmija nuk ka mundur me thënë shumë mirë edhe ky e ka marrë shafcigerin edhe ja bojke “thuaj mirë ose këqyre”. Tani thojke duhet me iu thanë qështu se këta ndryshe nuk marrin vesh”, ka thënë ajo.

“S’po më kuptohet saktësisht, se tash ka ndodhur para do muajve “këqyre shafcigerin”, “Thuaje ose të këqyrë shafcigeri”, diçka kështu. E kam shkruar. Është edhe në letër”, ka shtuar tutje ajo.

Për këto fjalë dëshmitare thotë të jetë edhe Vera.

“Gazetarja: Ju kujtohet shprehimisht cilat kanë qenë fjalët e tij atë ditë?

Vera: E di që pom doket një shrafciger e ka pas edhe ju ka drejtu fëmijës këqyre shrafcigerin t’mbys.

Gazetarja; Domethënë e ka kërcënua me fjalë?

Vera: Po, po.”

Për këto sjellje të Fazliut, të dy stazhieret, nga frika e hakmarrjes, thonë se ankesat në mënyrë të shkruar i kishin drejtuar tek shefja e shërbimit të logopedisë, por duke kërkuar që të qëndronin anonime.

Por vetë, logopedi Fazliu, mohon të ketë ndodhur diçka e tillë.

“Kjo s’ka të bëjë absolut, kurrë. Është e pamundur mua me më ndodhë një send të tillë. A e di çka është e pamundur total. Unë jam shumë miqësor me fëmijët”, ka thënë Fazliu.

Në një rast tjetër, Diella thotë se gjatë seancës, ai në vend se të merrej me fëmijën, bënte zhurmë duke rregulluar dollapin.

Diella, Stazhere

“Rasti i parë ka kanë një me shafciger. Nejse, u kanë një rast tjetër para tij, ku ka trokit me dollap u mundojke me rregullu edhe bojke shumë zhurma edhe fëmija u tutke, edhe nuk e ndalke hiç, se kish parasysh që ishe në seancë”, ka thënë ajo.

Kështu arsyetohet Fazliu.

“Në rast se që kjo ka ra, ka ra, kjo poshtë, e kam marrë unë domethënë praktikisht një minutë me baski e kam rregulluar qata edhe kaq ka pas”, ka thënë ai./Betimi për Drejtësi