Keqtrajtimi i qenit në strehimoren e Prishtinës, FDK paralajmëron padi ndaj punëtorit që e shkelmoi me egërsi kafshën

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj punëtorit të strehimores publike të qenve në Komunës e Prishtinës, i cili u pa në një video duke e rrahur një qen endacak. Nga Fondacioni thuhet edhe se, sipas tyre, incidenti në fjalë s’është rast i izoluar porse ‘‘një simptomë e qartë e një…

Lajme

10/06/2025 11:24

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj punëtorit të strehimores publike të qenve në Komunës e Prishtinës, i cili u pa në një video duke e rrahur një qen endacak.

Nga Fondacioni thuhet edhe se, sipas tyre, incidenti në fjalë s’është rast i izoluar porse ‘‘një simptomë e qartë e një problemi më të thellë dhe sistematik brenda qasjes së Komunës së Prishtinës’’.

‘‘Në video, punëtori shihet duke shkelmuar dhunshëm qenin dhe duke e trajtuar kafshën e tmerruar me një egërsi tronditëse. Nuk ka asnjë arsyetim për këtë lloj abuzimi. Ky veprim është mizor, i paligjshëm dhe absolutisht i papranueshëm. Ky incident nuk është një rast i izoluar, por një simptomë e qartë e një problemi më të thellë dhe sistematik brenda qasjes së Komunës së Prishtinës ndaj mirëqenies së kafshëve. Për vite me radhë, zyrtarët komunalë kanë bërë deklarata publike duke pretenduar se janë të përkushtuar ndaj trajtimit human të kafshëve endacake dhe se respektojnë mirëqenien e kafshëve’’, thuhet mes tjerash në reagim.

Në reagim paralajmërohet se FDK është duke e duke përgatitur një kallëzim penal ndaj individit, dhe se po ashtu, ata janë duke shqyrtuar opsione tjera ligjore ‘‘për ta shtrirë këtë ankesë edhe tek zyrtarët komunalë’’.

‘‘Organizata jonë është duke përgatitur një kallëzim penal ndaj individit të shfaqur në video. Për më tepër, ne po shqyrtojmë edhe opcione tjera ligjore për ta shtrirë këtë ankesë edhe tek zyrtarët komunalë të cilët janë bashkëfajtorë në këtë mizori, për keqpërdorim të kafshëve, neglizhencë dhe qeverisje të paligjshme. Kjo nuk mund dhe nuk do të injorohet. Kërkojmë llogaridhënie. Kërkojmë drejtësi për kafshët që vuajnë pas dyerve të mbyllura, të fshehura nga sytë e publikut por jo nga e vërteta’’, thuhet mes tjerash në reagim.