Keqplanifikimi qeveritar, digjen miliona euro

23:17 | 6 Shtator 2019

Ilustrim

Kosova ka ratifikuar miliona euro kredi me organizatat e huaja ndërkombëtare për disa projekte në vitin 2018. Por, projektet nuk filluan dhe milionat po paguhen në emër të interesit.

Buxheti i Kosovës, përveç të hyrave të rregullta, financohet edhe nga huamarrjet e brendshme dhe të jashtme, të cilat në fund të vitit 2018 kanë arritur0 shumën prej 1,093 milionë, duke mos i llogaritur edhe 44 milionë garancione shtetërore prej të cilave 676.6 milionë borxhe të brendshme dhe 416.2 borxhe të jashtme.

Por, sipas Auditorit të Përgjithshëm, problemi kyç lidhur me këto borxhe është mosefikasiteti i shpenzimeve, kjo për faktin se 393 milionë euro kredi të ratifikuara ende nuk janë tërhequr për shkak të vonesave në fillimin dhe realizimin e projekteve për të cilat janë ratifikuar këto shuma të kredive, ndërkohë që shuma të konsiderueshme të shpenzimeve të interesit dhe tarifave tjera janë paguar brenda kësaj periudhe 18.7 milionë euro shpenzime të interesit dhe 290 mijë euro tarifa të zotimit, shkruan lajmi.net.

Zyra Kombëtare e Auditmit ka publikuar Raportin e auditmit për vitin 2018, dhe në mes të gjeturave tjera një kapitull i është kushtuar edhe borxhit publik.

Sipas të gjeturave, shuma e huamarrjeve gjatë këtij viti ishte 121,918,000 euro. Këtë shumë e përbëjnë: huamarrja e brendshme 102,434,000 euro, huamarrja e jashtme 11,334,000 euro dhe pranimet nga nënhuazimet 8,250,000 euro.

“Në mungesë të përgatitjeve të duhura për fillimin e ekzekutimit të projekteve, vlera e pa tërhequr e kredive të ratifikuara deri në fund të vitit 2018 ishte 393 milionë euro, duke rezultuar që fondet e huamarrjeve të mos shfrytëzohen në mënyrë efikase dhe efektive. Shkak i kësaj ishte se aranzhimet për huamarrje kanë ndodhur shumë kohë para se të krijohen kushtet për shfrytëzimin e këtyre fondeve. Prej marrëveshjeve të ratifikuara, për 11 projekte në vlerë 393 milionë euro nuk janë tërhequr fondet kreditore”, thuhet në Raportin e auditmit për vitin 2018 të publikuar para pakë ditëve nga Zyra Kombëtarë e Auditmit.

Fondet e pa shpenzuara kanë të bëjnë me Projektet e pa realizuara si në vijim:

Rehabilitimi i Rrugëve Rajonale, zbatuese e projektit ishte Ministria e Infrastrukturës, 29 milionë euro.

Projekti i Rehabilitimit të Rrugës Hekurudhore 10, zbatuese e projektit ishte Ministria e Infrastrukturës dhe Infrakos, 42 milionë.

Projekti për Sigurinë e Ujit dhe Mbrojtjen e Kanalit, zbatuese e projektit ishte Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe NP Ibër – Lepenci, 7 milionë.

Projekti për trajtimin e ujërave të zeza, zbatuese e projektit ishte Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, 66 milionë.

Projekti i rrugës 6 nga Kijeva në Pejë, zbatuese e projektit ishte Ministria e Infrastrukturës, 80 milionë.

Projekti për konkurrueshmëri dhe gatishmëri për eksport, zbatuese e projektit ishte Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, 14.3 milionë.

Projekti i ekonomisë digjitale të Kosovës, zbatuese e projektit ishte Ministria e Zhvillimit Ekonomik 20.7 milionë.

Projekti për financimin shtesë të projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ku zbatuese e projektit ishte Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, 20.8 milionë.

Projekti për Autostradën Kijevë-Zahaq, zbatuese e projektit ishte Ministria e Infrastrukturës, 71 milionë.

Rehabilitimi i Rrugëve hekurudhore 10, zbatuese e projektit Infrakos, 39.9 milionë; dhe

Projekti për Masat e Energjisë Efiçiente në Komuna, zbatuese të projektit komunat: Ferizaj, Prishtina, Gjakova, Gjilani, 2.5 milionë.

“Mos tërheqja e kredive të ratifikuara kishte ndodhur për shkak të planifikimit jo të mirë të projekteve të cilat do të financoheshin nga huamarrjet, vonesat në themelimin e njësive zbatuese të projekteve, procedurat e ndryshme të prokurimit nga ato të parapara me marrëveshje të kredive etj”, thotë auditori.

Andaj sipas të gjeturave të ZKA-së, si rezultat i kësaj, Qeveria e Kosovës është duke paguar tarifë të zotimit për vlerën e mjeteve të zotuara të cilat nuk i ka tërhequr. “Për shkak të mospërputhjes së dinamikës kohore në mes alokimit të kredive dhe realizimit të projekteve, vlera e paguar e tarifave të zotimit për vitin 2018 për mjetet e kredive të pa tërhequra nga huamarrësit është 290,000 euro për të gjitha kreditë e ratifikuara deri në vitin 2018”

ZKA edhe në raportin e vitit të kaluar ka adresuar problemin e hyrjes në kredi të Qeverisë, para se të jenë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e projekteve, por praktika e njëjtë ka vazhduar edhe këtë vit, duke u rritur saldo e kredive të pa tërhequra edhe për 97 milionë, nga 296 në 393 milionë.

Ndërkohë, borxhet e përgjithshme shtetërore apo publike përbëhen prej borxheve të jashtme, borxheve të brendshme, por për nevoja të përllogaritjes së borxhit të përgjithshëm kundrejt BPV, në kategorinë e borxheve konsiderohen edhe garancitë shtetërore. Si burim i financimit buxhetor, këto huamarrje merren me qëllim të mbulimit të deficiteve buxhetore dhe për nevoja të financimit të projekteve kapitale. Kosova ka marrë borxhe të jashtme që nga viti 2009, ndërsa nga viti 2012, huamarrja bëhet edhe nga burimet e brendshme.

Në fund të vitit 2018 Borxhi i Përgjithshëm ka arrit në vlerën rreth 1,093 milionë euro që krahasuar me vitin paraprak ka një rritje prej 9.7 për qind. Në këtë vlerë nuk janë të përfshira garancitë shtetërore prej 44 milionë euro. Tabela në vazhdim paraqet trendin e borxhit në tri vitet e fundit.

Borxhi i jashtëm merret përmes kredive bankare nga Institucionet e jashtme financiare, ku si kreditorë kryesor deri tani ishte BNRZH, ANZH, BERZH dhe FMN me rreth 956.9 milionë euro.

Nga borxhi i jashtëm i ratifikuar nga viti 2009 deri më 2018 në vlerë 1,189.8 milionë euro, shteti ka tërhequr 797 milionë euro, duke përfshirë edhe Kredinë e konsoliduar nga ish Jugosllavia, si pjesë e Borxhit shtetëror të Kosovës, prej të cilave deri në fund të vitit 2018 i ka kthyer 377.7 milionë euro. Pjesa më e madhe e kthimit të kredisë është bërë për Kredinë e konsoliduar në vlerë 234 milion apo 62 për qind e vlerës së kthyer dhe FMN në vlerën 124 milion apo 33 për qind.

Vlera e pa tërhequr nga marrëveshjet e kredive të ratifikuara mbetet në vlerën 392.8 milion euro apo 33 për qind e borxhit të ratifikuar.

Gjatë vitit 2018 janë nënshkruar shtatë marrëveshje, ku prej tyre vetëm dy janë ratifikuar në vitin 2018. Prej marrëveshjeve të ratifikuara janë Projekti për Autostradën Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Zahaq në vlerë 80 milionë euro, si dhe marrëveshja për projektin e ekonomisë digjitale të Kosovës në vlerë 20.7 milionë. /Lajmi.net/