Keqpërdorim me ndarjen e kujdestarisë, disa mjekë morën nga dymijë euro rrogë
Shumë mjekë të sistemit publik shëndetësor të Kosovës dyshohet që kanë keqpërdorur kujdestaritë.
Lajme
Mënyra se si janë ndarë dhe si janë mbajtur kujdestaritë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në spitale rajonale e ka shtyrë Ministrinë e Shëndetësisë që të formojë një komision, i cili do t’i hetojë rastin.
“Koha Ditore” ka mësuar se dyshimet e para flasin për menaxherë (drejtorë klinikash) që e kanë futur veten në listat e kujdestarive, numër të madh të mjekëve kujdestarë nëpër klinika me kapacitete të vogla të kujdestarive, shumë mjekë kujdestarë të cilët janë paguar e pak të tillë që kanë kujdestaruar.
Sipas burimeve të gazetës, ka mjek që në QKUK i ka dalë paga mbi 2 mijë euro falë numrit të madh të kujdestarive që ka mbajtur.
Nisjen e procesit të verifikimit të listave të mjekëve kujdestarë e ka konfirmuar edhe ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani.
Nuk dihet saktë se sa është dëmtuar buxheti i shtetit nga dallaveret me kujdestari, por financat janë arsyeja që MSh-ja ka nisur këtë hetim. Rrahmani thotë se këtë e kanë bërë pasi që muajin janar nuk kanë pasur fonde të mjaftueshme që të paguajnë numrin e kujdestarive.