“Keqpërdorim i fondeve”- 945 gjetje në një vit, Auditimi zbulon shkeljet në institucione, prin Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës e ajo e Arsimit

Gjatë vitit 2025, Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar një numër të lartë shkeljesh në funksionimin e institucioneve publike në Kosovë, duke konfirmuar se problemet sistematike në menaxhimin financiar dhe administrativ vazhdojnë të jenë të pranishme, pavarësisht rekomandimeve të përsëritura ndër vite. Kështu kanë bërë të ditur nga Zyra Kombëtare e Auditimit në përgjigjet e…

Lajme

31/12/2025 20:00

Gjatë vitit 2025, Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar një numër të lartë shkeljesh në funksionimin e institucioneve publike në Kosovë, duke konfirmuar se problemet sistematike në menaxhimin financiar dhe administrativ vazhdojnë të jenë të pranishme, pavarësisht rekomandimeve të përsëritura ndër vite. Kështu kanë bërë të ditur nga Zyra Kombëtare e Auditimit në përgjigjet e dhëna për lajmi.net.

Sipas këtij institucioni, shkeljet e konstatuara lidhen kryesisht me mospajtueshmërinë me ligjet, rregulloret, standardet profesionale dhe praktikat e mira të menaxhimit në sektorin publik, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e qeverisjes, transparencën dhe besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.

Fusha problematike që përsëriten nga viti në vit

Nga Zyra Kombëtare e Auditimit kanë theksuar për lajmi.net se edhe këtë vit, një pjesë e madhe e gjetjeve janë përqendruar në fushën e prokurimit publik, menaxhimit të kontratave, subvencioneve dhe transfereve, si dhe në procesin e shpenzimeve buxhetore, fusha këto që vazhdojnë të paraqesin rrezik të lartë për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të mjeteve publike.

Auditimet kanë treguar se një ndër shkeljet më të shpeshta mbetet klasifikimi dhe raportimi i pasaktë i shpenzimeve, çka ndikon drejtpërdrejt në pasqyrën reale të gjendjes financiare të institucioneve. Po ashtu, janë identifikuar probleme serioze në regjistrimin e pasurive kapitale dhe jokapitale, duke rezultuar në mbivlerësim ose nënvlerësim të tyre, gjë që cenon saktësinë e regjistrave shtetërorë të pasurisë.

Menaxhimi i dobët financiar dhe vonesat në pagesa

Sipas ZKA-së një problem tjetër i theksuar lidhet me mangësitë në menaxhimin dhe raportimin e llogarive të arkëtueshme, detyrimeve të papaguara dhe atyre kontigjente. Në shumë raste janë konstatuar vonesa të vazhdueshme në pagesën e faturave, përtej afatit ligjor prej 30 ditësh, çka krijon obligime shtesë financiare për institucionet dhe rrezikon stabilitetin buxhetor.

Në nivel komunal, janë evidentuar edhe raste të mosinspektimit të pronave të tatueshme në përqindjen e kërkuar prej 20%, siç përcaktohet me Ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme, duke ndikuar negativisht në mbledhjen e të hyrave vetanake të komunave.

Keqpërdorimi i fondeve dhe mungesa e kontrollit në projekte

Në përgjigjet e  ZKA-së bëhet e ditur se në disa raste, komunat kanë shfrytëzuar fonde të ndara për projekte të caktuara për qëllime të tjera, pa miratimin e Kuvendit Komunal për transferim apo rialokim të mjeteve buxhetore. Këto veprime, sipas ZKA-së, përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të procedurave buxhetore dhe rrisin rrezikun e mungesës së transparencës.

Auditimi ka zbuluar gjithashtu dobësi serioze në procedurat e prokurimit publik, duke filluar nga inicimi i prokurimeve në mungesë të projekteve ekzekutive të ndërtimit, përdorimi joadekuat i kontratave publike kornizë, vendosja e kritereve favorizuese në dosjet e tenderit, si dhe mangësi në vlerësimin dhe përzgjedhjen e ofertave fituese.

Subvencionet, një tjetër pikë e dobët

Një numër i konsiderueshëm gjetjesh lidhen edhe me procesin e dhënies dhe monitorimit të subvencioneve. Sipas ZKA-së, janë evidentuar raste të dhënies së subvencioneve pa shpallje të thirrjeve publike, subvencionim i përfituesve që nuk i kanë përmbushur kriteret e përcaktuara, vonesa në arsyetimin e mjeteve të shpenzuara, si dhe tejkalim i buxheteve të planifikuara për subvencione.

Po ashtu, janë konstatuar pagesa për punë të papërfunduara dhe realizim i artikujve të kontratës në kundërshtim me peshën dhe çmimet e përcaktuara në dosjet e tenderit, duke rritur rrezikun e dëmtimit të buxhetit publik.

Institucionet me më së shumti gjetje

Sa i përket institucioneve të audituara, Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë të ditur se në nivel lokal, numrin më të madh të gjetjeve e kanë komunat e Prishtinës, Malishevës dhe Suharekës, ndërsa në nivel qendror, më së shumti çështje janë identifikuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Shifra alarmante: 945 gjetje në një vit

Sipas të dhënave zyrtare gjatë vitit 2025 janë identifikuar gjithsej 945 gjetje që lidhen me mospërputhje me aktet ligjore dhe nënligjore. Nga ky numër, 413 gjetje i përkasin nivelit lokal, 205 nivelit qendror, 153 ndërmarrjeve publike, 116 auditimeve të performancës dhe 58 auditimeve të pajtueshmërisë.

ZKA thekson se këto gjetje pasqyrojnë gjendjen reale të institucioneve gjatë periudhës së auditimit dhe shërbejnë si bazë për përmirësimin e menaxhimit dhe rritjen e përgjegjshmërisë.

Sfidat në auditim dhe bashkëpunimi institucional

Një ndër sfidat kryesore gjatë këtij viti ka qenë sigurimi i dëshmive për pagesat e realizuara në bazë të vendimeve gjyqësore, të cilat ekzekutohen përmes Thesarit të Ministrisë së Financave, me kërkesë përmbarimore, kanë sqaruar nga Zyra Kombëtare e Auditimit për lajmi.net.

Megjithatë, pavarësisht këtyre vështirësive, ZKA vlerëson se bashkëpunimi me institucionet e audituara ka qenë në përgjithësi i kënaqshëm dhe në përputhje me obligimet ligjore.

Përmirësime konkrete dhe ndikim financiar

Nga Zyra Kombëtare e Auditimit kanë theksuar se rekomandimet e dhëna kanë prodhuar rezultate konkrete, duke ndikuar në përmirësimin e menaxhimit financiar dhe raportimit të pasurive publike. Sipas tyre, regjistrat e pasurive janë përmirësuar për një vlerë prej rreth 177 milionë euro, ndërsa është saktësuar pasqyra e pranimeve dhe pagesave për rreth 167 milionë euro.

Si shembull konkret përmendet Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila ka realizuar vlerësimin dhe regjistrimin e 123 pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës, duke rritur ndjeshëm transparencën dhe llogaridhënien në menaxhimin e pasurisë publike.

Ndikimi i drejtpërdrejtë te qytetarët dhe shërbimet publike

Sipas vlerësimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, shkeljet e konstatuara gjatë procesit të auditimit nuk janë vetëm çështje administrative apo teknike, por kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimeve publike që u ofrohen qytetarëve, kanë theksuar nga ky institucion për lajmi.net. Keqmenaxhimi i fondeve publike, vonesat në pagesa, mungesa e kontrollit në projekte kapitale dhe parregullsitë në prokurim ndikojnë në realizimin e projekteve infrastrukturore, në mirëmbajtjen e objekteve publike, si dhe në ofrimin e shërbimeve bazike në nivel qendror dhe lokal.

Teksa, mosinspektimi i pronave të tatueshme dhe mangësitë në mbledhjen e të hyrave vetanake, sipas ZKA-së për lajmi.net, kufizojnë kapacitetet financiare të komunave për të investuar në sektorë të rëndësishëm për qytetarët, si arsimi, shëndetësia, mirëqenia sociale dhe shërbimet komunale. Në të njëjtën kohë, mungesa e transparencës dhe moszbatimi i rekomandimeve të auditimit cenojnë besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe rrisin perceptimin për keqpërdorim të mjeteve publike. /Lajmi.net/