“Keni thënë që Thaçi ndiqet penalisht për arsye absurde” – Dëshmia e Rubinit e bën për “pesë pare” aktakuzën e Prokurorisë

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, është përballur me deklaratat e tij të mëparshme publike rreth procesit gjyqësor në Hagë dhe aktakuzës ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve. Rubin kishte përshkruar Prokurorinë si një “turp” në një deklaratë dhënë në korrik të këtij viti. Gjatë dëshmisë së tij, ai pranoi se mund…

Lajme

16/09/2025 12:52

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, është përballur me deklaratat e tij të mëparshme publike rreth procesit gjyqësor në Hagë dhe aktakuzës ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve.

Rubin kishte përshkruar Prokurorinë si një “turp” në një deklaratë dhënë në korrik të këtij viti. Gjatë dëshmisë së tij, ai pranoi se mund të ketë qenë një deklaratë e pamatur, transmeton lajmi.net.

“Mund ta kem përdorë atë fjalë që mbase ka qenë jo e matur. Por, kur je në televizion, ndonjëherë përdor edhe fjalë që nuk duhet. Sidoqoftë, unë mund edhe ta tërheq këtë fjalë”, deklaroi ai.

Megjithatë, kur u ballafaqua nga prokurori James Pace lidhur me deklaratën e tij, Rubin nuk hezitoi ta konfirmojë:

“Ju thatë në televizion se zoti Thaçi po ndiqet penalisht për arsye krejt absurde. A është kjo ajo që keni thënë?”, pyeti prokurori.
“Po, besoj që këtë e kam thënë”, u përgjigj Rubin.

Ai pranoi se nuk kishte lexuar dosjen paragjyqësore, aktakuzën dhe as nuk kishte ndjekur dëshmitë në detaje, por megjithatë qëndroi pas kritikave të tij ndaj mënyrës se si po trajtohet rasti.

Në intervistën e dhënë më parë, Rubin kishte thënë:

“Është turp që Thaçi mbahet në burg, ndërkohë që vetë Qeveria e Kosovës e krijoi këtë Gjykatë. Ligji është shumë kompleks dhe fatkeqësisht mund të shpërdoret — nga politika, grupet e të drejtave të njeriut, gazetarët… Në Ballkan, drejtësia ka dalë jashtë kontrolli. Ky rast është shembulli më i qartë.”

Rubin akuzoi Prokurorinë se po e mban Thaçin në burg për “arsye absurde”, siç është pretendimi se ai ka kontrolluar gjithçka gjatë kohës së UÇK-së — diçka që ai e quajti “të pavërtetë”.

“E kanë mbajtur në burg për shumë vite sepse nuk dinë si të vazhdojnë me këtë gjykim”, shtoi ai.

Në të njëjtën deklaratë, Rubin e bëri të qartë dallimin midis krimeve të ushtrisë serbe dhe asaj që ka ndodhur nga pala shqiptare:

“Ushtria serbe ka kryer 95% të vrasjeve masive. Të barazosh këtë me atë që bënë shqiptarët e Kosovës është absurde dhe për të ardhur keq.”

Ai përmbylli se është “problem i madh” që Thaçi ende nuk lirohet as me kusht, ndërsa drejtësia kërkon prova për të vazhduar një proces që, sipas tij, po zvarritet pa një drejtim të qartë./lajmi.net/