“Kemi vendosë me ta ndërru fenë”, burri i dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë rrëfen tmerrin e përjetuar

Lufta e vitit 1998-99 në Kosovë la pasoja të pashlyeshme e të cilat vuhen ende. Gjatë këtij konflikti, forcat serbe nga Kosova dëbuan 848,000 shqiptarë, vranë 15,000 persona, ndërsa të pagjetur konsiderohen 1639 persona të tjerë. Përveç këtyre, gjatë luftës së fundit u dhunuan rreth 20 mijë persona, në mesin e tyre edhe djem e burra.

Lajme

08/05/2022 20:15

Shënim me rëndësi: Ky dokumentar trajton dhunimin seksual të djemve dhe burrave gjatë luftës së fundit në Kosovës dhe pasojat psikologjike e sociale. Emrat e personave dhe vendeve në këtë dokumentar janë censuruar për shkak të konfidencialitetit.

Dhunimit nuk i shpëtuan as djemtë nën moshën 18 vjeçare e as burrat e dhunuar. Fatin e trishtë për të përjetuar ngjarjen e rëndë e kishte edhe një 32 vjeçar, pasojat e të cilës i mban mbi supe tash e 23 vjet.

Në ditët e fundit të muajit mars të vitit 1999, kishte dalë për të bërë roje, që të mbrojë familjarët e fqinjë nga ushtria serbe, por fatkeqësisht nuk arriti të mbrojë vetën.

“Në rajonin tonë, aty afër datës 27 mars, fillojnë të vijnë forca të mëdha ushtarake në atë grykën tonë të …, forca paraushtarake, paramilitare dhe forca të ndryshme policore. Ato vendosen në anën e kufirit dhe në ato fshatrat tona, ku vendosen shumë njësi ushtarake. Prej asaj date, popullsia jonë fillon të evakuohet, banorët e fshatit tonë filluan të largohen nga fshati, dikush ku ka pasur mundësi nëpër fshatra, ….. ndërsa disa të rinj që ishim ne rreth 20-30 vetë përafërsisht, vendosëm të bënim roje aty tek fshati. Ashtu kemi bërë roje deri më 2 prill. Më 2 prill na sulmojnë njësitë ushtarake dhe paramilitare serbe aty afër orës 10:00. Ne ishim të vendosur shumë të rinj te një shtëpi e një kushëriri dhe në momentin që filluam të largohemi, unë personalisht bie në duar të paramilitarëve, ushtarëve, duke tentuar të iki në një duvar të cilin nuk mund ta kaloj dhe aty forcat e kthejnë tytën e automatit në drejtim temin dhe prej pamundësisë që nuk kisha qa me bo, unë dorëzohem. Aty e kishin pas zënë edhe një kushëri tonin, ka vdek tash ai. Aty na lidhin, më mbështetin për duvari më kontrollojnë. Një çantë e cila ka pasë disa armatim të lehtë aty në fshat ku kemi bërë rojë, një çantë ka qenë me municion dhe një çantë e kishin lënë dikush aty midis oborrit. Një ushtar më drejtohet më thotë “e kujt është kjo çantë”, thash “nuk e di”. “A është e jotja”, thash “nuk është e jemja”, “merre”, unë nuk deshta me marrë, mirëpo ai ma ktheu automatin dhe u detyrova me marrë. Në momentin që e kam kap çantën e kam kuptu që nuk është ajo çantë e cila e dija që ka pasë diçka aty, armatim. Ajo ishte e lehtë dhe e kom qit krahëve…..Ushtari na detyron me ec edhe pak rreth duvarit dhe në qoshe të duvarit një kushëri e kish ndërtu një derë dhe e kish mshel me blloka të kuq, se duvari ka qenë me blloka të bardhë të betonit. Ai më detyron me thy atë duvar me shkelm dhe kogja më mundon ajo farë pune, përmbi s’di as vetë sa ka zgjat, mezi që e rrëzoj druvarin kama më dhimke tu i mshu dhe në momentin që hymë në oborr, një farë bashkëfshatari jonë, një farë ****, aty e zënë edhe ushtarët e detyrojnë mi çu duart përpjetë dhe e marrin në pyetje.”

YouTube player

Mes frikës dhe të fshehtës, rruga e tij nuk ishte e shkurtër. Ai ishte dërguar në fshatin e  një komune tjetër, për tu mbajtur peng me orë të tëra e për të përjetuar tmerrin që vetëm ai kishte arritur ta përballonte.

“Pas një farë kohe vjen kamioni dhe tash më detyrojnë, më thonë ti hajde me neve. Në momentin që kur fillojmë me hyp në kamion, aty kishin pas zënë dy vajza të një kushëriri, mixha jem kish qenë i shtrirë në kamion, i vramë dhe babai i atyre dy vajzave kishte qenë i plagosur. Kamioni ish mbush gjak, në qosh të kamionit ish kanë ushtari me automat i cili ma drejton mu në drejtim temin dhe më thotë “shko ulu në qosh qatje”. Në atë moment, mixhën e kam këqyrë, tërësisht i masakruar, krejt trutë i kish pas jashtë. Kamioni niset dhe në drejtim kur kthehet ka BUDIKA, atëherë qohet një ballon i NATO-s dhe unë aty drejtën me të thënë një far ankthi mu shfaq dhe thash këtu nuk ka më jetë. Rashë shahadet e ju luta Zotit thash “more Zot fute një granatë qitu, se nuk ka jetë këtu”, sepse e pasha vetën të vdekur. …Aty në .. kur hyjmë, në mes të fshatit afër kishës kishte qenë një magazinë, ku aty ndalet kamioneta dhe vijnë disa ushtarë pyesin “kush është ky i vramë? Çka e ki”, na i marrin dokumentacionin, ju thash “ky është mixha jem”. Bisedojnë diçka edhe largohen dhe kthehen thonë “ti duhesh me zhdryp me neve”. Mu dasht me marrë çantën, ndërsa dy vajzat dhe mixhën i kthejnë mbrapa. Sipas bashkëfshatarëve qysh e di unë, qysh kanë deklaru edhe ata, se gjoja se mixhën e kanë lanë afër xhamisë dikun, ndërsa dy vajzat kanë shku tjetër fshat, nuk e di qysh kanë mundur me shku aty pas orës 2-3 a nuk e di çfarë kohe. Ndërsa mixha ka nejtë dy-tri ditë aty përmbi dhe, nuk e ka varros askush dhe tash është i zhdukur, nuk dihet fati i tij. Mu më zbritin aty ku kesh tu tregu, më shtinë në një zyre të improvizume dhe aty tash fillojnë disa ushtarë hyjnë brenda dhe mendojnë në një farë mënyre një politike të butë, tu më marrë me fjalë të urta të mira. “Trego çka di”, “Trego ku ka ushtri, ku ka armatim?”, “T’japim pare sa të dush, veç trego”, thash “Unë nuk e di thash çka me të tregu. Nuk e di ku ka ushtri as armatim”. Ju thash na jemi kanë në fshat, ju na keni zanë në fshat aty. Largohen ata, vijnë disa ushtarë tjerë fillojnë me sha me ofendu. “Trego ndesh me shpëtu, se kemi me të vra”, më ofendojnë, ma shajnë nanën.”

Secili ushtar që kishte hyrë në hapësirën ku po mbahej ky shqiptar, e kishte maltretuar në mënyrën e vetë. Ngjarja kishte marrë rrjedhën që tashmë e keqja nuk mund të parashikohej. Për të, dhunimi seksual vulosi ngjarjen më të rëndë të jetës së tij.

“Pastaj largohen, hyjnë dy ushtarë tjerë, ajo që është më e keqja që më ka ndodh mu në atë moment. Hyjnë dy ushtarë, një ka qenë me mjekër e shami dhe njëri ka qenë llustë, pa flokë. Aty tash më ofendon, më shan, më thotë “Trego çka din me kallëzu ku ka ushtri, armatim”, edhe më godet fytyrës, më përplas për tavoline. Atij tjetrit i thotë mbylle derën, aty e kom kuptu që më ka zhvesh mu, zhvesh do të thotë shok e teposhtë dhe aty ka filluar dhunimi ndaj meje. Fillova të kam ankth, dhimtë, nuk e di sa ka zgjatë ai dhunim, filluan të godas, të shante, ai më afrohet me thikë ai që kishte flokë, më thotë “as mos ta dëgjoj zanin se ta heqi krytë, mos piskat”. Ka zgjatë një kohë nuk e di sa përafërsisht ky dhunim, torturë, dhimbta kisha edhe në moment vijnë disa zhurma, zana dhe këta më detyrojnë me u vesh shpejt ushtarët.”

Ushtarë të ndryshëm e abuzime të shumta, por vetëm një viktimë. Vepra makabre e dhunimit kishte mbetur sekreti i dy ushtarëve serbë, pa u ditur kurrë as nga bashkëluftëtarët e tyre.

“Ata e qelin derën, hyjnë dy ushtarë, tre a nuk e di sa kanë qenë. Thanë “Çka e keni mbyll derën”, “kem tu e marrë në pyetje”, për mu. Edhe largohen ata, hynë ata tash thotë e bijnë një farë çante e më shtinë me kontrollu, atë çantë që e kisha marrë unë tu dyshu se ka diçka aty, mirëpo fati jem aty kishte qenë një kushëri që e ka lanë, pas lufte më ka tregu, kish pas peshkir, sapuna, t’rrojës zhileta, një pasqyre, një krahën dhe ai po më thotë “ti koke përgatit për luftë”, thash unë “nuk e di, kjo çantë nuk është e jemja. Unë civil jam, në oborr të shtëpisë tem, kushërinit. Nuk e di pse më keni prun këtu”. Filloj të më shan edhe e merr një shkop të gomës, dhe këtu në kokë e kam pasë si gungë ka qenë para luftës, e Pas luftës e pata bo operacion dhe fillon e merr shkopin e gomës ma sjell rreth kokës edhe më godet nja 5-6 herë shpinës dhe alivanosem  se më humb kontrolla, se goditjet e rënda dhe prej karriges më qet në kokë.  Pas disa çastesh e pash veten se isha lagur, ma kishin kthy vetëdijen me ujë a nuk e di qysh dhe prej aty më marrin më shtinë në një sall të madhe, ma e madhe se këtu. Aty më zhveshin, më lanë vetëm në brekë disa ushtarë, më lënë për një kohë nuk e di saktësisht një orë a dy. Masanej vijnë prapë do, nuk e di çka kish qenë ai thotë “kush i ka zhvesh këta?”. Prapë më veshin ata, i shtinë ushtarët sepse mu veçse mi lidhën duart me liçica, m’i zgjidhin.”

YouTube player

Por, tortura nuk kishte përfunduar me kaq. Lidhje me zingjir kishte ndodhur prapë, ai ishte ushqyer me dhunë, ishte detyruar të hante cigare të ndezura, ishte urinuar e ishte rrahur deri në alivanosje.

Pas rreth 40 orësh torturash, ai lirohet në gjendje të rëndë psikike e fizike.

“Pas një çasti më ulin në karrige prapët ata edhe vjen një komandant a nuk e di çka ka qenë ai, tash kom harru se i ka përmbi 22 vjet, po a e ka pas Petriq a Perisiq, harroj. Edhe thotë unë jam i Beogradit, edhe thotë kom vendos me të liru unë ty, se e kom një shqiptar të RUNOVCIT më ka bo shumë të mira edhe kom vendos me të liru. I thash faleminderit, edhe tash po më thotë ai “a po të nguc ty dikush?”, tash pe kqëyr unë atë ushtarin, atë rusin pe kqëyr si shtrembtë ai dhe drejtën me të thënë u mundojsha mu gjind pak për veti, se thojsha mos po bëj naj gabim diçka po flas e u detyrova me thanë “valla s’pom nguc kërkush, mirë jam”, ai tha aty “a pe sheh çfarë ushtrie kam”, i thash “po”. Edhe largohet ai, pas një kohe, pas disa çaste një orë a dy, pasdite ka qenë kjo nuk e di sa afërsisht, pas 3-ve me thanë, ka muzgu, edhe më marrin disa ushtarë. Më marrin më nxjerrin prej aty edhe më qojnë te kisha, afër kishës, vijnë edhe dy priftërinj, edhe më thonë “a e din pse të kemi pru këtu?”, i thash “nuk e di”, më tha “kemi vendos me ta ndërru fenë”, i thash “unë jam musliman qysh ndërrohet feja”. Edhe e ka nxjerr prifti kryqin dhe ka fillua me më kryqëzu mu fytyrës e trupit, edhe unë qysh kam qenë i lidhur e shtyj ata se qashtu më vjen një farë mundi, e shtyj priftin edhe kryqin edhe ushtarët çka kanë qenë aty, nuk e di sa kanë qenë 4-5 vetë, edhe fillojnë më godasin mu edhe më qesin në tokë, më alivanosin se ka pasë goditje të rënda, kanë sjell.”

Pas kësaj, ai arrinë që të shkojë deri në fshatin e tij. Por, asgjë nuk kishte gjetur si e kishte lënë.

“Masanej ka ardhë një civil serb, nuk e di aty më ushtarë s’kish pasë, edhe thotë “kojshi ku me të çu?”, më tha “çu hyp në kerr ku me të çu?”, tash unë serbishten e disha, po prej panikës nuk disha çka me thanë, i thash “Unë jam i….”, më tha “Po ku e ki familjen?”, thash ….më tha “A të qoj atje?”, i thash “jo qom ….”. Unë mendojsha që në ….. ka ende njerëz aty, bashkëfshatarë që kishin roje, aty s’kish qenë ma kërkush. Edhe më merr më qon në drejtim të fshatit, edhe aty tash para dyerve më thotë “cila është shtëpia jote?”, i thash “kjo”, edhe më len aty. Më thotë “mundësisht ik, ik se munden me të vra, ka paramilitar ushtarë afër …., me snajperka, munden me të vra”. Edhe aty dal unë, pasi dal e zbriti aty, hi në oborr në një ahër e këna pas një lopë aty edhe aty tu mendu unë me qëllim me zgjidhë drejtën me të thënë. E disha që më s’ka kush e këqyrë, me zgjidhë veç me zgjidhë e harroj. Kur hi aty në oborr, në shpi aty, e kishin pas praptu, hallakat, me kauça me krejt i kishin pas praptu. Tash prej panikut nuk disha çka me ba, edhe mendoj me i hi fshatit, mes fshatit frikohem edhe shkoj apët rreth fshatit afër xhamisë aty, e shoh prej së largut që e kishin granatu e kishin djegë, edhe një shtëpi të hoxhës. Në atë moment mua më pëlcet vaji aty, do me thënë ton ajo torturë që mu ka bo atë kohë nuk kom mund, aty më vjen mllefi edhe filloj me qajtë si fëmi.”

YouTube player

Ai kishte arritur që të bashkohet me disa të afërm të tij, të cilën duke përdorur mjekësinë popullore arritën t’ia mjekonin për një muaj plagët fizike. Plagët më të madhe shpirtërore,  që vetëm ai e dinte, nuk kishte marrë guxim ta tregonte.

“Edhe tash duke u mundu tash përafërsisht se familjen e kisha në ….., u deshtë me këput rekën nëpër ujë, dhe kur jam shku në qosh të një udhëkryqi ku lidhet për …… dhe ….., është një farë are aty thirret kisha, aty kish qenë një kushëri. Ajo do me thonë që janë mbytë motër e vëlla, që janë vra aty kishin qenë, kokën e kish pasë në pus do me thanë të vrame. Nuk kom guxu me u afru prej trishtimit dhe kom mendu veç qysh me u largu. Kodrës …. deri aty mezi që hyra edhe aty, aty filloj tu më humb kontrolla mu mirëpo fati jem janë do njerëz në kodër aty kishin qenë të fshatit REMNIK edhe një kushëri i jem …. më kanë pa, nuk e di qysh më kanë pa, zbresin poshtë më kapin për krah e më qojnë deri në fshatin …..  Aty tani kom nejt 3-4 ditë, më kanë dhanë, një mjek më ka kontrollu, më ka dhanë ineksione, terapi, një farë …. Pastaj ditën e parë që kam qenë te ai daja aty, më kanë, me ksi të lëkurës së delmes më kanë mbështjellë dhe krip e kepë trupit sepse kam qenë krejt i, qysh me thanë, i dëmtuar. Aty kemi qëndru afërsisht një muaj e diçka deri sa u shliru, do me thanë kanë hi forcat e NATO-s.”

Por, pasojat e tij vazhduan gjatë edhe në periudhën e pasluftës. Gjithçka kishte filluar të vështirësohet për të, por askush nuk e dinte se gjendja e tij shëndetësore fizike dhe ajo psikike nuk ishte e rënduar vetëm  nga rrahjet.

“Më ardhke mundi, më ardhke stres, mu doke që po du me vdek, këto sende, krejt këto sende post-traumatike, traumat e luftës, mjeku mi ka shpjegu. Kanë qenë traumat e luftës që unë edhe sot e kësaj dite i barti, këto pasoja. Drejtën me të thanë më kanë lanë pasoja të rënda sepse unë kam ngel mbrapa edhe në çështjen ekonomike, sepse para luftës kam qenë një biznesmen i devotshëm, mirëpo lufta më ka shkatërru dhe tash kam mbetë mbrapa me shumë sene.”