KEK-u thonë se po operojnë me 5 njësi: Energjia po prodhohet me kapacitete maksimale operative
Korporata Energjetike e Kosovës njoftuar se aktualisht po operon njëkohësisht me pesë njësi prodhuese të energjisë elektrike, duke siguruar prodhim me kapacitete maksimale operative dhe stabilitet të plotë të sistemit elektroenergjetik. Sipas njoftimit, KEK po prodhon mbi 20,000 MWh energji elektrike në ditë, në përputhje me parametrat teknikë dhe kapacitetet reale të njësive ekzistuese. Zakonisht,…
Lajme
Korporata Energjetike e Kosovës njoftuar se aktualisht po operon njëkohësisht me pesë njësi prodhuese të energjisë elektrike, duke siguruar prodhim me kapacitete maksimale operative dhe stabilitet të plotë të sistemit elektroenergjetik.
Sipas njoftimit, KEK po prodhon mbi 20,000 MWh energji elektrike në ditë, në përputhje me parametrat teknikë dhe kapacitetet reale të njësive ekzistuese. Zakonisht, korporata operon me katër njësi prodhuese, ndërsa gjatë periudhave me temperatura të ulëta është angazhuar maksimalisht për të vënë në funksion edhe njësinë e pestë, raporton lajmi.net
KEK bën të ditur se ka arritur të operojë me pesë njësi prodhuese për nëntë ditë që nga 19 dhjetori 2025, përmes ndërhyrjeve të shkurtra operative, si dhe për shtatë ditë gjatë muajit janar 2026, përfshirë edhe ditën e sotme, me vazhdimësi operimi.

Njoftimi i plotë i KEK-ut:
KEK operon me 5 njësi prodhuese – stabilitet i garantuar
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se aktualisht operon njëkohësisht me pesë (5) njësi prodhuese të energjisë elektrike, duke prodhuar energji me kapacitete maksimale operative, në përputhje të plotë me parametrat teknikë dhe kapacitetet reale të njësive ekzistuese, me një prodhim bruto ditor prej mbi 20,000 MWh.
Për qartësi dhe transparencë, KEK sh.a. thekson se në kushte të zakonshme operon me katër (4) njësi prodhuese, ndërsa gjatë periudhave të uljes së temperaturave është angazhuar maksimalisht për të vënë në operim edhe njësinë e pestë. Si rezultat, KEK ka arritur të operojë me pesë njësi prodhuese:
· për 9 (nëntë) ditë gjatë periudhës që nga 19 dhjetori 2025, përmes disa ndërhyrjeve të shkurtra operative, dhe
· për 7 (shtatë) ditë gjatë muajit janar 2026, përfshirë edhe ditën e sotme, me vazhdimësi të operimit.
Ky nivel operimi përfaqëson një gjendje të rrallë operative, veçanërisht duke marrë parasysh moshën e njësive prodhuese dhe kompleksitetin teknik të sistemeve ekzistuese.
Njësia A4 ka startuar gjatë orëve të mbrëmjes dhe është sinkronizuar me rrjetin në orët e para të mëngjesit, ndërsa rikthimi paralel dhe i suksesshëm i Njësive B1 dhe A4, brenda një afati optimal operacional, dëshmon kapacitetin e lartë profesional të stafit teknik dhe menaxherial të KEK sh.a., planifikimin e saktë operacional dhe menaxhimin efikas të proceseve të sanimit.
Si rezultat i këtij operimi të qëndrueshëm dhe stabil, sistemi aktualisht operon me kapacitete të plota, duke reflektuar stabilitet teknik, siguri operative dhe performancë maksimale të prodhimit.
KEK sh.a. mbetet e përkushtuar për operim të qëndrueshëm, të sigurt dhe efikas, për menaxhim rigoroz të aseteve prodhuese dhe për avancimin e projekteve strategjike të modernizimit, në funksion të forcimit të qëndrueshmërisë dhe stabilitetit afatgjatë të sektorit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës.
Me respekt,
Departamenti për Marrëdhënie
me Publikun dhe Komunitete
KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS./Lajmi.net/