KEK-u shtyn sërish afatin për lidhje të kontratave me biznese: Interesim i jashtëzakonshëm

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar bizneset që kanë dalë në treg të hapur se është shtyrë për një ditë afati për lidhjen e kontratave me këtë korporatë për furnizim me rrymë. KEK-u tha se afati u shty deri nesër për shkak të “interesimit të jashtëzakonshëm nga ana e bizneseve”. “Të nderuar konsumatorë, Ju…

Lajme

11/06/2025 14:20

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar bizneset që kanë dalë në treg të hapur se është shtyrë për një ditë afati për lidhjen e kontratave me këtë korporatë për furnizim me rrymë.

KEK-u tha se afati u shty deri nesër për shkak të “interesimit të jashtëzakonshëm nga ana e bizneseve”.

“Të nderuar konsumatorë, Ju falënderojmë për interesimin e treguar dhe bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm. Për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm nga ana e bizneseve, si dhe pamundësisë për të realizuar të gjitha kontratat brenda afatit të paraparë, ju njoftojmë se afati për lidhjen e kontratave për Furnizim të Mundësisë së Fundit (FMF), bazuar në vendimin e ZRRE-së, është shtyrë deri nesër, më datë: 12.06.2025”, thuhet në njoftim.

“Nëse jeni ndër konsumatorët që preken nga ky vendim dhe ende nuk keni lidhur kontratën tuaj, ju ftojmë të veproni sa më parë”, ka theksuar KEK-u.

Ndryshe KEK është përcaktuar si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF), për një periudhë kalimtare deri më 30 korrik 2025, për konsumatorët që ende nuk kanë zgjedhur furnizues në tregun e lirë.

Po ashtu sipas vendimit të ZRRE-së, nga 1 qershori, të gjitha bizneset e mëdha nuk do të furnizohen më me energji përmes tarifave të rregulluara, por duhet të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, ato kalojnë automatikisht në treg të hapur me çmime të parregulluara. /Lajmi.net/