KEK-u implementon shërbimet e fundit teknologjike të VALA-s

Telekomi i Kosovës dhe Korporata Energjetike e Kosovës kanë finalizuar të mërkurën edhe një tjetër kontratë të re komerciale.

Lajme

09/01/2019 15:04

Bëhet fjalë pikërisht për implementimin dhe automatizimin për herë të parë të ndërlidhjeve me fije optike të objekteve strategjike si termocentralet  “Kosova A” dhe “Kosova B” si dhe shumica e nënstacioneve energjetike të kësaj korporate.

“Të kesh një ndërmarrje të madhe siç është KEK-u që përveç faktit që ka përfshirë të gjithë punonjësit e vet në VALA kohë më parë, e tani i beson teknikisht edhe rrjetit tonë të shpejtë të internetit që i nevojitet për operimin e sistemeve operacionale të termocentraleve, tregon më së miri se Telekomi është garantues dhe mbështetës i shërbimeve të sigurta, të duhura dhe të avancuara për çdo konsumator individual dhe biznesor”, deklaroi U.D. i Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, shkruan lajmi.net.

Thellimi i bashkëpunimit dhe nënshkrimi edhe i një kontrate tjetër mes këtyre dy ndërmarrjeve, është shembulli më i qartë i mirëbesimit të vazhdueshëm mes dy gjigantëve të ekonomisë së Kosovës.

“Duke i ditur specifikat dhe kompleksitetin e punës që bëhet në korporatën tonë, bashkëpunimi me VALA-n është po kaq i domosdoshëm dhe lehtësues në mbarëvajtjejtjen e punëve tona teknologjike, sidomos në mirëmbajtjen e sistemeve operative të termocentraleve tona”, bëri të ditur Njazi Thaqi, drejtori menaxhues i KEK-ut.

Kjo është marrëveshja e dytë radhazi e konktretizuar midis këtyre dy ndërmarrjeve më të mëdha publike në vend, pasi që muaj më parë rreth 5000 punëtorë të KEK-ut i janë bashkëngjitur VALA-s pas kalimit nga konkurrenca. /Lajmi.net/