KEK reagon ndaj raportimeve për tregtimin e energjisë: Kryeshefi nuk ka rol në miratimin e shitjes së tepricave

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj raportimeve të fundit për procesin e tregtimit të tepricave të energjisë elektrike, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të dëmshme për procedurat e brendshme institucionale. Në reagim, KEK thekson se tregtimi i energjisë zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara dhe se përgjegjësia operative i takon personit…

Lajme

17/07/2026 16:02

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj raportimeve të fundit për procesin e tregtimit të tepricave të energjisë elektrike, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të dëmshme për procedurat e brendshme institucionale.

Në reagim, KEK thekson se tregtimi i energjisë zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara dhe se përgjegjësia operative i takon personit të autorizuar për tregtim dhe drejtorit të njësisë së tregtimit, ndërsa Kryeshefi Ekzekutiv nuk ka rol në miratimin apo refuzimin e shitblerjes afatshkurtër të energjisë, transmeton lajmi.net.

KEK konfirmon se dy zyrtarë janë larguar përkohësisht nga puna deri në përfundimin e procedurës disiplinore, ndërsa rasti është adresuar edhe te autoritetet kompetente për hetim të mëtejshëm. Korporata thekson se mbetet e përkushtuar për transparencë dhe zbatimin e ligjit, duke kundërshtuar, sipas saj, paragjykimin publik të një procesi që ende nuk ka përfunduar.

Komunikata e plotë: 

Reagim i KEK Sh.A. lidhur me raportimet për procesin e tregtimit të tepricave të energjisë elektrike

Publikimi i artikullit nga “Buletini Ekonomik”, i marrë më pas edhe nga disa media të tjera, po dëmton procesin institucional të zbardhjes së rastit, duke u mbështetur në deklarime emocionale, interpretime të pjesshme dhe pretendime të pabazuara. Për më tepër, deklarimet e paautorizuara, e aq më tepër të pabazuara, për çështje që janë objekt i procedurës së brendshme disiplinore, përbëjnë shkelje të detyrave dhe përgjegjësive të punës.

Korporata Energjetike e Kosovës – KEK Sh.A. sqaron se procesi i tregtimit të energjisë elektrike në Korporatë nuk zhvillohet në mënyrë arbitrare dhe nuk varet nga vullneti individual i asnjë zyrtari jashtë përgjegjësive të përcaktuara. Ky proces është i rregulluar qartë me akt të brendshëm, përkatësisht me “Procedurën për tregtimin e energjisë elektrike”, nr. 8071/1, e cila përcakton detyrat, përgjegjësitë dhe rrjedhën institucionale të këtij procesi.

Për më tepër, kjo procedurë është hartuar në zbatim të pikës 2 të nenit 2 të Procedurës për Tregtimin e Energjisë Elektrike të hartuar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit të Kosovës – KOSTT, në përputhje me nenin 22 të Ligjit nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike dhe të aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji – ZRRE.

Në procedurën e brendshme të KEK-ut, përkatësisht në nenin 18 – Rekomandimi dhe aprovimi, përcaktohet qartë se:

  • pas përfundimit të procesit të tregtimit, personi i autorizuar për tregtim i dërgon rezultatet për konfirmimin e ofertave/kontratave individuale tek drejtori i njësisë së tregtimit;
  • drejtori i njësisë aprovon ose refuzon me shkrim shitjen/blerjen afatshkurtër të propozuar.

Pra, akti i brendshëm i KEK-ut e përcakton qartë zinxhirin e përgjegjësisë: procesi zhvillohet nga personi i autorizuar për tregtim, ndërsa aprovimi ose refuzimi bëhet nga drejtori i njësisë përkatëse. Kryeshefi Ekzekutiv nuk është pjesë e kësaj faze operative, nuk ka rol aprovues në këtë procedurë dhe në asnjë formë nuk miraton, konfirmon apo ndikon në shitjen apo blerjen afatshkurtër të energjisë elektrike.

Për këtë arsye, çdo tentim për ta barazuar përfshirjen në komunikime elektronike informuese, veçanërisht pas përfundimit të procesit, me miratim, ndikim apo përgjegjësi operative të Kryeshefit Ekzekutiv është interpretim i pasaktë, i pabazuar dhe profesionalisht i paqëndrueshëm.

Për më tepër, në funksion të rritjes së kontrollit, sigurisë dhe gjurmueshmërisë, menaxhmenti i KEK-ut ka ndërmarrë reforma konkrete në mënyrën e zhvillimit të procesit të tregtimit gjatë vitit 2024. Kjo është pasqyruar edhe në Raportin e ZKA-së për vitin 2025, faqe 17, ku theksohet qartë, citojmë: “Megjithatë ndërmarrja gjatë vitit 2024 kishte përcaktuar një lokacion të veçantë për tregtimin e energjisë të pajisur me kamera mbikëqyrëse, me qëllim të pamundësisë së tregtimit nga lokacione tjera dhe kufizon qasjen vetëm në persona të autorizuar.”

Kjo përbën edhe një dëshmi shtesë se procesi i tregtimit zhvillohet me qasje të kufizuar vetëm për personat e autorizuar dhe në kushte të monitoruara.

Në këtë kontekst, KEK shpreh shqetësimin e saj serioz për publikimin e artikujve që trajtojnë si të mirëqena pretendime, deklarime emocionale individuale dhe interpretime të pjesshme për një çështje e cila aktualisht është objekt i procedurës së brendshme disiplinore. Publikimi i konkluzioneve publike mbi bazën e pretendimeve të palëve të përfshira në procedurë, pa përfunduar shqyrtimi institucional, është i parakohshëm dhe rrezikon të dëmtojë rëndë integritetin e procesit.

KEK konfirmon se ndaj dy zyrtarëve janë marrë masa të përkohshme të largimit nga puna, deri në zhvillimin dhe përfundimin e procedurave disiplinore. Ky vendim është marrë në përputhje me aktet e brendshme të Korporatës dhe duke u bazuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, me qëllim të trajtimit të plotë, të paanshëm dhe institucional të çështjes.

Për më tepër, KEK ka ndërmarrë veprime edhe përtej procedurave të brendshme, duke e adresuar këtë çështje te autoritetet institucionale kompetente për trajtim të mëtejshëm, me qëllim të zbardhjes së plotë dhe objektive të rastit. Kjo dëshmon se Korporata nuk ka asnjë interes të relativizojë apo paragjykojë çështjen, përkundrazi po ndërmerr të gjitha veprimet e mundshme institucionale që kjo çështje të trajtohet mbi bazën e provave, procedurave dhe kompetencave ligjore.

Përgjegjësia eventuale individuale mund të vlerësohet vetëm përmes procedurës së rregullt disiplinore, ku administrohen provat, dëgjohen palët dhe merret vendim nga organet kompetente.

KEK mbetet i përkushtuar për transparencë, llogaridhënie dhe respektim të plotë të ligjshmërisë, por nuk do të pranojë që proceset e brendshme institucionale të paragjykohen, të dëmtohen apo të zëvendësohen me gjykime publike të bazuara në interpretime të pjesshme, deklarime emocionale dhe pretendime të pakonfirmuara./lajmi.net/