KEK: Nuk kemi kërcënuar bizneset me ndalje të energjisë elektrike
Disa biznese kanë shprehur ankesën e tyre se KEK-u po i kërcënon me ndalje të energjisë elektrike, por ky i fundit ka mohuar një gjë të tillë. Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli tha për KosovaPress se është e pavërtetë që kanë kërcënuar bizneset për ndalje të energjisë elektrike. Bucolli tha se bizneseve u kanë bërë…

Lajme
Disa biznese kanë shprehur ankesën e tyre se KEK-u po i kërcënon me ndalje të energjisë elektrike, por ky i fundit ka mohuar një gjë të tillë.
Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli tha për KosovaPress se është e pavërtetë që kanë kërcënuar bizneset për ndalje të energjisë elektrike.
Bucolli tha se bizneseve u kanë bërë ftesë çdo ditë me nga tre komunikata në ditë dhe se kanë mbetur edhe tri ditë për të nënshkruar kontratën me KEK-un pas daljes në tregun e hapur të energjisë elektrike.
“Absolutisht nuk është e vërtetë, të gjitha njoftimet e KEK-ut rend janë, për çdo ditë jemi duke i informuar. Ju kemi bërë ftesë për çdo ditë, të paktën nga tre komunikata kemi lëshuar që janë transparente për publik, askush askujt nuk iu është kërcënuar, kemi treguar se janë dalë në mënyrë automatike si konsumatorë që kanë plotësuar kriteret, sipas vendimit të ZRRE-së kanë kaluar te furnizuesi i mundësisë së fundit. Dje, herën e fundit që kemi lëshuar komunikatë, i kemi njoftuar që mbeten edhe tri ditë që të vijnë për të nënshkruar kontratën, nuk e kemi kërcënuar askënd”, tha Bucolli.
Kujtojmë, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka mbajtur sot një takim me bizneset, ku u paralajmërua një protestë paqësore nga bizneset më njëmbëdhjetë qershor nga ora njëmbëdhjetë në sheshin e Prishtinës, nëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe Qeveria nuk reflektojnë karshi kërkesës së bizneseve, shkruan KosovaPress.
Si shkak i shtrenjtimit të energjisë elektrike, përfaqësues të odave thanë se rreth katërqind fabrika po konsiderojnë mbylljen e tyre, për shkak të daljes së parakohshme në tregun e lirë të energjisë elektrike.