KEK nis remontin vjetor të njësisë A4 në TC “Kosova A”, ndalet nga mesnata

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se, në kuadër të planit të mirëmbajtjes dhe përgatitjes së kapaciteteve gjeneruese për periudhat me kërkesë të shtuar për energji elektrike, do të realizohet remonti vjetor i njësisë A4 në Termocentralin “Kosova A”. Sipas njoftimit, ky proces po zhvillohet në përputhje me Bilancin Vjetor të Energjisë…

Lajme

08/06/2026 17:54

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se, në kuadër të planit të mirëmbajtjes dhe përgatitjes së kapaciteteve gjeneruese për periudhat me kërkesë të shtuar për energji elektrike, do të realizohet remonti vjetor i njësisë A4 në Termocentralin “Kosova A”.

Sipas njoftimit, ky proces po zhvillohet në përputhje me Bilancin Vjetor të Energjisë Elektrike (BVEE) dhe me standardet teknike e të sigurisë operative.

Ekipet profesionale dhe teknike të TC “Kosova A” kanë përfunduar përgatitjet e nevojshme, ndërsa njësia A4 do të ndalet në mënyrë të planifikuar dhe të kontrolluar duke filluar nga ora 00:00.

KEK bëri të ditur se remonti vjetor ka për qëllim inspektimin, riparimin dhe sanimin e pajisjeve kryesore, si dhe rritjen e besueshmërisë dhe performancës së njësisë për ciklin e ardhshëm të punës.

Sipas kompanisë, ky është një nga aktivitetet më të rëndësishme të mirëmbajtjes së planifikuar, i cili ndihmon në sigurimin e operimit stabil dhe të qëndrueshëm të prodhimit të energjisë elektrike në vend.

“Përmes këtyre ndërhyrjeve parandaluese dhe korrigjuese synohet që njësia të operojë në mënyrë të sigurt, stabile dhe efikase deri në remontin e radhës vjetor”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/