Kek me qumësht të ngrohtë – Ëmbëlsia që i duhet çdo shtëpie
Duke qënë kaq i shijshëm sigurisht që kombinimet me të janë shpërndarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu një ndër ëmbëlsirat më popullore.
Lifestyle
Nëse ka një karakteristikë që e veçon kekun nga ëmbëlsirat e tjera, pa dyshim që është butësia e jashtëzakonshme.
Një fetë keku e ngrohtë, plot aromë të mirë brumi të sapo pjekur, është mënyra më e mirë për të nisur ditën apo për të kaluar pasditet.
Përbërësit
200 ml qumësht
200 gr miell
180 gr sheqer
60 gr gjalpë pa kripë
4 vezë
6 gr fryrës për ëmbëlsira
lëkura e një limoni e grirë
kripë
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të ndizni furrën paraprakisht në temperaturën 180 gradë C.
Më pas vazhdoni me përgatitjen duke zgjedhur një enë të thellë.
Në të shtoni vezët dhe përziejini me anë të një rrahësi elektrik ose më dorë dhe në fund shtroni shumë pak kripë.
Teksa përzieni shtoni pak nga pak edhe sheqerin dhe vazhdoni kështu për të paktën 10 minuta ose derisa të formohet një masë kremoze e fryrë.
Merrni një sitë të vogël dhe hidhni miellin pak nga pak përsëri tek ena ku ndodhen vezët dhe sheqeri.
Po kështu shtoni edhe fryrësin për ëmbëlsira dhe me anë të një luge të madhe, filloni të përzieni miellin nga poshtë lart.
Bëjeni këtë derisa të shikoni që është formuar një masë brumi e trashë dhe pa kokrriza.
Në këtë pikë, merrni 4-5 lugë gjelle brumë dhe lërini në një enë mënjanë.
Ndërkohë vini në zjarr një tenxhere të vogël të mbushur me qumësht, shtoni aty dhe gjalpin, lëreni të shkrijë derisa fillojë të krijojë bulëza.
Hidheni më pas qumështin me gjalpin, tek ena me pak brumë që latë mënjanë më parë dhe përzieni mirë, derisa të bashkohen.
Shtojeni edhe këtë masë të vogël e të lëngshme brumi, tek ena ku ndodhet pjesa e brumit të përgatitur në fillim dhe përzieni me kujdes.
Në fund shtoni lëkurën e grirë të një limoni të vogël dhe përzieni mirë të gjithë përbërjen e brumit.
Për pjekjen
Përgatisni një tavë pjekje rrethore me madhësi 20 cm dhe lyejini pak me vaj ose shtrojeni me letër pjekje.
Më pas hidhni në të brumin e kekut që përgatitët.
Tundeni pak me duar tavën dhe futeni në furrë në temperaturën 180 gradë C për 30-35 minuta.
Sipas dëshirës në 10 minutat e fundit mund ta ngrini pak temperaturën e furrës.
Keku juaj do të jetë gati kur të ketë marrë një pamje të artë në sipërfaqe.
Pasi të jetë pjekur, nxirreni nga furra dhe konsumojeni të ngrohtë me pak çaj.
Gjithashtu mund ta ruani të mbyllur në frigorifer në një enë qelqi për 4 ditë./Lajmi.net/