KEDS ndëshkohet me 13 gjoba për njehsorët elektrikë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, po vazhdon kontrollet ndaj njehsorëve elektrikë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Sipas një komunikate të MINTI, si rezultat i inspektimeve të fundit, janë identifikuar 13 njehsorë elektrikë që ishin në…

Lajme

24/07/2026 17:11

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, po vazhdon kontrollet ndaj njehsorëve elektrikë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas një komunikate të MINTI, si rezultat i inspektimeve të fundit, janë identifikuar 13 njehsorë elektrikë që ishin në përdorim me afat të skaduar të verifikimit metrologjik. Për këtë shkelje, operatori për shpërndarjen e energjisë elektrike, KEDS, është ndëshkuar me 13 gjoba administrative, në vlerë të përgjithshme prej 65 mijë eurosh.

“Aktivitetet e mbikëqyrjes do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synim garantimin e matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe zbatimin e plotë të legjislacionit dhe standardeve metrologjike në fuqi.

Ky veprim vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të forcuar mbikëqyrjen e tregut dhe për të siguruar respektimin e standardeve ligjore në sektorin e matjes së energjisë elektrike.

MINTI u bënë thirrje qytetarëve që posedojnë dëshmi ose kanë dyshime lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë t’i raportojnë ato përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber ose në adresën elektronike [email protected].”, thuhet në komunikatë.