KEDS mbledh 1.8 milionë euro borxhe të vjetra të KEK-ut

KEDS ka mbledhur rreth 8.1 milionë euro borxhe të vjetra të KEK-ut, ku borxhi total që kishin konsumatorët ndaj KEK-ut deri në vitin 2013, ishte 410 milionë euro.

Lajme

04/05/2014 20:56

Me shitjen e distribucionit të KEK-ut, KEDS sipas marrëveshjes është autorizuar që të ja mbledh borxhet e vjetra të KEK-ut dhe normalisht se për këtë punë do të kishte përfitime.

Zyrtarë të KEK-ut i kanë thënë KTV-së nëpërmjet postës elektronike se deri tani nga rreth 410 milionë euro borxhe, KEDS-i ka inkasuar për këtë ndërmarrje 8.1 milionë euro.

“Në baza tremujore KEDS-i i dërgon shënimet rreth borxhit të inkasuar dhe bën pagesën e tyre. Nga maji i 2013-ës deri në fund të janarit 2014, KEDS-i pasi që ka ndalur përqindjen e taksës për shërbimin e kryer sipas marrëveshjes, i ka paguar KEK-ut rreth 8.1 milionë euro në emër të borxhit të vjetër të grumbulluar. Përndryshe, borxhi përgjithshëm që konsumatorët në tërë vendin ia kishin KEK-ut deri në maj 2013 ishte rreth 410 milionë”, kanë thënë zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Zyrtarë të KEDS-it nuk kanë dhënë shumë detaje në lidhje me mënyrën e mbledhjes së borxheve të vjetra, duke kërkuar që përgjigjet të merren në KEK.

“Për shkak se jemi duke vepruar si agjentë të KEK-ut, ne nuk jemi të lirë në zbulimin e të dhënave të privilegjuara të KEK-ut dhe besojmë që të dhëna të tilla duhet të kërkohen nga KEK-u. Rrjedhimisht, edhe sa i përket ndarjes në vite, KEDS-i mbledh shumën për KEK-un në sasi të ndryshme dhe borxhi cilësohet të jetë borxh ndaj KEK-ut, andaj luteni që edhe për këtë çështje të kontaktoni me zyrtarë të KEK-ut”, ka thënë Guri Shkodra, zëdhënës i KEDS.

Sipas marrëveshjes së arritur, KEDS-i do të përfitojë nga arkëtimi i borxheve të vjetra që sillet nga 15 deri në 25%.

Marrëveshja në fjalë parasheh që shteti t’i ofrojë të gjithë bazën ligjore dhe atë të sigurisë në dispozicion të KEDS-it, me qëllim të mbledhjes së këtyre borxheve shumëvjeçare, raporton KTV.