KEDS ka aplikuar për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor për rritje të çmimit prej 7% duke filluar nga dhjetori

Kriza energjetike e me të çmimet e larta të energjisë elektrike që Kosova duhet ta importojë për të mbuluar kërkesën në rritje gjatë sezonës së dimrit, ka detyruar KEDS-in të kërkojë shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike që në muajin dhjetor të këtij viti, pasi që shqyrtimi i rregullt do të ndodhë në prill të 2022.

Lajme

25/11/2021 16:21

Prilli i ardhshëm po duket të jetë periudhë vështirë për KEDS për shkak të çmimeve të larta të importit të energjisë elektrike, të nevojshme për të mbuluar konsumin e brendshëm me rritje të ndjeshme gjatë sezonës së dimrit.

KEDS në vazhdimësi ka apeluar tek konsumatorët që të kursejnë energjinë elektrike dhe të përdorin alternativa tjera të ngrohjes, nëse të tilla ekzistojnë.

“Do të thotë, apelet për kursim, apelet për vetëdijësim në ballafaqimin me krizë ekzistojnë edhe në vendet më të zhvilluara të botës e jo vetëm në Kosovë”, theksoi ai.

Ministria ka krijuar task-forcë për ‘krizën’ energjetike

Por, për të përballuar krizën aktuale globale energjetike dhe efektet e saj që kanë filluar të ndjehen edhe në Kosovë, Buzhala tha se Ministria e Ekonomisë së bashku me akterët përkatës të sektorit të energjisë në Kosovë ka formuar një task-forcë për t’u marrë me krizën energjetike, ka konfirmuar Buzhala.

Ai tha se KEDS ka bërë strategji me qëllim që kriza të ketë ndikim sa më të vogël tek konsumatorët.

“Ne kemi ndërtuar një strategji që kjo krizë të ketë impakt sa më të vogël tek konsumatorët, sidomos sa i përket së çmimit të energjisë elektrike, e jemi duke e bërë një kampanjë për kursim e cila është shtrirë gjithandej duke ju falenderuar edhe mediave”, tha Buzhala në ATV.

Ai tha se përvec që ngrohja me rrymë po ndikon në rritje të importit, e rrjedhimisht edhe rritje të cmimit të energjisë elektrike, ajo po ndikon edhe probleme në rrjet për shkak të mbingarkesave.

“Ku mund të ketë ndalesa, ndalesa mund të ketë nga mbigarkesa. Këto janë ato që i quajmë ne reduktime të dhunshme, do të thotë sistemi në mënyrë automatike reagon dhe e ndalë atë trafo e cila po rrezikohet të djeget apo ata përcues, pra ndalen në trafo në burim, dhe deri sa të ftohen ato asete energjetike atëherë ajo gjendje duhet të vazhdojë ashtu”, tha ai.

Buzhala: Në Prishtinë janë defishuar kapacitetet aty ku ka pasur mbingarkesa

Për parandalimin e ndërprerjeve për shkak të mbingarkesës, Buzhala theksoi se KEDS nuk ka qëndruar duarkryq por ka investuar në përmirësimin e kapaciteteve të rrjetit të shpërndarjes.

Buzhala bëri të ditur se në Pristhinë janë dyfishuar kapacitetet ku ka pasur mbingarkesa.

“Në Prishtinë përshembull i kemi dyfishuar kapacitetet, aty ku kemi pasur mbingarkesa ne kemi dyfishu kapacitetet. Kemi kaluar nga linjat 10kV në 20kV, dhe aty më nuk do të ketë mbingarkesa pasiqë kemi kapacitete të mjaftueshme”, tha ai.

“Mirëpo, kemi zona ku mund të paraqiten. Ne nuk e dijmë cila është kërkesa e tyre pasiqë nuk kemi në Kosovë plan urbanistik të mirëfilltë, nuk e dijmë sakt sa njësi banesore janë ndërtu apo do të ndërtohen apo kush është vendos aty. Kjo do të na ndihmonte shumë sepse do të planifikonim edhe ne në mënyrë adekuate”, theksoi ai.

KEDS ka aplikuar për shqyrtim të jashtzakonshëm tarifor në muajin dhjetor, gjatë muajit dhjetor importet priten të arrijnë 29 milion euro

“KEDS nuk është autoriteti që vendos për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, është ZRRE”, sqaroi fillimisht Buzhala.

Sidoqoftë, zëdhënsi i KEDS zbuloi se kompania ka aplikaur për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor tek Zyrja e Rregullatorit për Energji, ku kanë kërkuar një rritje prej 7% të tarifave aktuale.

Kjo kërkesë është bërë si rezultat i çmimeve të lartë të energjisë elektrike që duhet importuar gjatë kësaj periudhe të dimrit, teksa zbuloi se Kosova pritet që gjatë muajit dhjetor të kemi 29 milion euro në vlerë të importit të energjisë elektrike.

“Ndërsa ne kemi aplikuar për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor, presim që të shqyrtohet aty kemi kërkuar rritje. Kjo pasi impakti i importit është i jashtëzakonshëm, vetëm gjatë muajit dhjetor presim që të kemi 29 milion euro import, që është shumë jashtëzakonisht e madhe”, tha ai.

“Është bërë kërkesa për rritje të çmimit prej 7 për qind tani, e që mund të faturohet nga 1 dhjetori, nuk mund të paragjykojmë me çfarë çmimi do të vijë pasi për këtë ZRRE të merr vendim dhe të flas, ne realisht aq e kemi bërë kërkesën, pasi që është kërkesa e argumentuar dhe e bazuar në çmime në mënyrë që edhe rritja eventuale pasi që nuk mund të spekulojmë asgjë, të jetë më e lehtë më 1 prill”, ka thënë Buzhala në ATV.

Tutje, Buzhala foli edhe për rritjen që mbase duket se është e paevitueshme të ndodhë në prill të 2022, kur edhe do të ndodhë rishikimi i tarifave të rregullta nga ZRRE.

Mirëmbajtja e planifikuar e bllokut B1 të KEK do të rëndojë edhe më shumë situatën

Ai poashtu nënvizoi dalja në revizion e paraparë të bllokut B1 të termocentralit Kosova B do të rëndojë edhe më tutje situatën, pasiqë do të ulet edhe prodhimi i brendshëm i energjisë elektrike.

“Në bazë të kalkulimeve që i kemi bërë ne dhe në bazë të parametrave që ekzistojnë, ne nuk e dimë se sa do të jetë konsumi, ne e dimë tash cili është por nuk e dimë deri në prill, e cili do të jetë prodhimi.

Nga 1 shkurti është paraparë që të shkojë edhe blloku B1 i termocentralit Kosova B në revizion, dhe këto të gjitha rëndojnë situatën. Kërkesa për rritje nga prilli e tutje do të jetë minimumi 30 për qind”, ka shtuar ai në ATV.

Buzhala tutje ka thënë se aktualisht energjia elektrike është duke u blerë 300 euro për megavat dhe duke e shitur për 68 euro te konsumatori. Ai thotë se nuk ka sistem që mund ta përballojë një gjë të tillë.

“7 përqindëshi t’i bashkohet 30 përqindëshit, mirëpo është minimumi po flas, nën to vështirë që do të bjere kërkesa, jemi duke e blerë diku 300 euro megavatin jashtë duke e importuar, gjatë dimrit presim që të shkojmë afër gjysmën e energjisë elektrike ta importojmë, ndërsa e shesim tek konsumatori me 68 euro, nuk ka sistem në botë që mund të mbijetojë në këtë mënyrë”, ka përfunduar Buzhala.