KEDS injoron protestën, nuk ka ngritje pagash deri më 2017

Punëtorët e KEDS-it, kanë protestuar të enjten në vendin e tyre të punës, pasi që kërkesat e tyre për ngitje të pagave dhe kushte më të mira në punë, nuk janë marrë parasysh nga menaxhmenti i kësaj korporate.

Lajme

17/04/2014 19:43

Fehmi Pajaziti, kryetar i Federatës së Sindikatave të pavarura “Elektrokosova”, ka thënë se përderisa ngritje të pagave janë bërë së fundmi në shumë institucione, e po ashtu dhe në KEK, pse të mos ketë ngritje dhe për punëtorët e KEDS-it.

Pajaziti ka thënë se punëtorët kërkojnë ngritje lineare prej 120 euro, ashtu siç është bërë dhe në Korporatën Energjetike të Kosovës, në të kundërtën pohojnë se greva do të jetë e pashmangshme.  

“Edhe ne duam ngritje të pagave. Jo veç se ashtu po duam, por duke pasur për bazë që prej vitit 2009 në ndërmarrjen tonë, tash të ashtuquajtur KEDS, nuk ka pasur ngritje të pagave dhe jemi dëshmitar se sa është rritur kostoja jetësore që nga 2009-ta, atëherë edhe ne meritojmë ngritje pagash dhe jetë më të dinjitetshme”, ka thënë Pajaziti.  

Edhe Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka deklaruar se kërkesat e punëtorëve të KEDS-it, janë legjitime dhe se Sindikata i përkrahë kërkesat e punëtorëve.

Arifi ka thënë se KEDS duhet të merr parasysh kërkesat e punëtorëve, përndryshe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës do të kërkojë edhe ndërhyrjen e kryeministrit, që të mos vije deri të greva.

Këshilli organizativ i protestës, paralajmëron se në rast se nuk ndërkohë nuk do të kenë përgjigje pozitive nga ana e menaxhmentit të KEDS-it, atëherë protesta do të vazhdojë më 23 prill, para drejtorisë qendrore të KEDS-it në Prishtinë, në të cilën do të marrin pjesë punëtorët e të gjitha distrikteve.

Ndërkohë KEDS përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj protestës së sotme dukë kërkuar nga Sindikata që të respektojë Ligjet e aplikueshme të Kosovës, raporton KosovaPress.

Menaxhmenti i KEDS bënë me dije se është Zyra e Rregullatorit të Energjisë ajo që i lejon të hyrat dhe se këtë e tashmë ia ka aprovuar të Hyrat Maksimale të Lejuara për pesë vitet e ardhshme.

“KEDS nuk mund të ngritë kostot operative, respektivisht të rrisë pagat, nëse Zyra e Rregullatorit nuk ka paraparë çfarëdo aprovimi për një ngritje të tillë. Për shkak se vendimi është marrë para se KEDS ka filluar punën, ne besojmë që arsyetimi i tillë është bazuar në faktin që të gjithë punëtorët në sektorin e energjisë pranojnë paga më të mëdha se paga mesatare në Kosovë”, thuhet në njoftimin e tyre.

KEDS po ashtu paralajmëron edhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë se nëse aprovon rritje të pagave, atëherë në mënyrë të pashmangshme do të mund të reflektohej edhe në ngritjen e tarifave të energjisë elektrike.