KE për Shqipërinë: Përparim i shpejtë drejt anëtarësimit
Bashkimi Evropian vlerëson se procesi i zgjerimit po ecën me ritmin më të shpejtë të 15 viteve të fundit, ndërsa Shqipëria renditet ndër vendet që kanë shënuar përparim të jashtëzakonshëm në reformat integruese. Sipas draftit të Raportit të Progresit për Shqipërinë, i siguruar nga Radio Evropa e Lirë, që prej fillimit të vitit 2024 janë zhvilluar…
Lajme
Bashkimi Evropian vlerëson se procesi i zgjerimit po ecën me ritmin më të shpejtë të 15 viteve të fundit, ndërsa Shqipëria renditet ndër vendet që kanë shënuar përparim të jashtëzakonshëm në reformat integruese.
Sipas draftit të Raportit të Progresit për Shqipërinë, i siguruar nga Radio Evropa e Lirë, që prej fillimit të vitit 2024 janë zhvilluar 11 konferenca ndërqeveritare mes BE-së dhe vendeve kandidate, prej të cilave pesë vetëm me Shqipërinë, një tregues i qartë i ritmit të lartë të integrimit.
Në raport theksohet se Shqipëria ka hapur negociatat në pesë grupe kapitujsh, duke reflektuar “përkushtimin e madh të vendit dhe progresin e shpejtë në zbatimin e reformave”.
“Kjo e reflekton përkushtimin e madh të Shqipërisë. Shqipëria ka vazhduar të shënojë përparim në reforma, veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe me përfundimin e procesit të vettigut”, thuhet në draft-raport.
Raporti vlerëson gjithashtu rezultatet e dukshme të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në hetimin e çështjeve të korrupsionit, si dhe bashkëpunimin aktiv ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e kapaciteteve për hetime financiare.
Sipas dokumentit, Shqipëria ka shprehur ambicien për të mbyllur të gjitha negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027, ndërsa Komisioni Evropian konfirmon përkushtimin për të mbështetur vendet që përmbushin kriteret, në përputhje me parimin e meritës.
Në raport përmendet gjithashtu se Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinën, janë lavdëruar për përputhjen e politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian, duke dëshmuar angazhim të plotë për integrimin në familjen evropiane.
Draft-raporti për Kosovën: Përparim i kufizuar për shkak të ngërçit politik
Përparimi i Kosovës në agjendën e Bashkimit Evropian është penguar nga politikat e brendshme përçarëse dhe nga ngërçi politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, pavarësisht se Kosova është e përkushtuar në rrugën evropiane, me nivel të lartë të mbështetjes publike.
Në dokument përmendet se Kosova e ka përshtatur në mënyrë vullnetare politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, çka sinjalizon përkushtim të qartë për vlerat e BE-së, veprim shumë i mirëpritur.
Mes tjerash në draft-raport përmendet se Komisioni Evropian i ka marrë hapat e parë drejt heqjes graduale të masave ndëshkuese.
“Hapat tjerë do të varen nga shtensionimi i vazhdueshëm në veri. Komisioni synon t’i heqë masat financiare kur të ketë transferim të rregullt të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve të mbajtura”, thuhet në raport.
Në draftin e raportit të BE-së është përmendur edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga vetë blloku.
Të dyja vendeve u kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh, të arritur më 2023 dhe aneksin e zbatimit, të arritur po atë vit.