KE në Raportin e Progresit: Kryeministri Kurti dhe zyrtarë të tjerë ofenduan mediat, gazetarët nën presion e kërcënime

Komisioni Evropian, në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2025 ka ngritur shqetësime për kërcënimet ndaj gazetarëve, mungesën e pavarësisë së mediave si dhe krizën e funksionimit të transmetuesit publik RTK, duke theksuar se liria e shprehjes në vend ka mbetur pa përparim. “Kosova ka një nivel të caktuar përgatitjeje, por nuk ka bërë…

Lajme

04/11/2025 15:39

Komisioni Evropian, në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2025 ka ngritur shqetësime për kërcënimet ndaj gazetarëve, mungesën e pavarësisë së mediave si dhe krizën e funksionimit të transmetuesit publik RTK, duke theksuar se liria e shprehjes në vend ka mbetur pa përparim.

“Kosova ka një nivel të caktuar përgatitjeje, por nuk ka bërë progres në lirinë e shprehjes. Peizazhi mediatik është pluralist, por përballet me probleme që lidhen me transparencën e pronësisë dhe qëndrueshmërinë financiare të mediave”, thuhet në raport.

Gjatë periudhës së raportimit, janë regjistruar 70 raste të sulmeve fizike, verbale ose kërcënimeve ndaj gazetarëve, përfshirë pengimin e punës së tyre, përdorimin e gjuhës fyese dhe një rast të padisë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP).

“Gjatë fushatës zgjedhore, zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë Kryeministrin, kanë përdorur gjuhë fyese ndaj mediave,” thuhet në raport.

Komisioni e cilëson këtë si praktikë shqetësuese që dëmton klimën e sigurisë dhe lirinë e shprehjes në vend.

Sipas raportit, kuadri ligjor që rregullon mediat “duhet të harmonizohet me standardet e reja të BE-së dhe aktet ndërkombëtare relevante”, përfshirë Akti Evropian për Lirinë e Medias dhe Direktivën e BE-së kundër SLAPP-it.

Ligji për Radiotelevizionin e Kosovës dhe ai për mbrojtjen e burimeve gazetareske mbeten ende në pritje të miratimit, ndërsa Ligji për shpifjen civile i vitit 2008 duhet të përditësohet për t’u përafruar me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndërkohë, raporti përmend se Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, pasi dispozitat për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve u vlerësuan jokushtetuese, duke kërcënuar pavarësinë e këtij institucioni.

Publikohet Raporti i Progresit 2025: Kosova me progres të kufizuar dhe stagnim në reformat kyçe

“Është thelbësore që ligji të harmonizohet plotësisht me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare,” thekson raporti.

Komisioni thekson se Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) vazhdon të përballet me mungesë të pavarësisë financiare dhe probleme serioze strukturore.

“Nuk ka pasur progres në gjetjen e një modeli të qëndrueshëm, afatgjatë dhe të pavarur të financimit për transmetuesin publik,” theksohet në raport.

Raporti shton se pozita e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së është bosh që nga shtatori 2024, ndërsa Bordi i RTK-së është pa kuorum që nga dhjetori 2024, duke e bërë transmetuesin publik “jofunksional dhe të paaftë për ta përmbushur rolin e tij në mënyrë efektive.”

Në janar 2025, drejtori i RTK2 i ka dërguar letër institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, duke paralajmëruar për “përkeqësimin e gjendjes së kanalit për shkak të mungesës së buxhetit dhe mosfunksionimit të bordit.”

Tutje raporti thekson se 75% e buxhetit të RTK-së shkon për paga, ndërsa ndërtesa ku ndodhet institucioni është në gjendje shumë të keqe dhe nuk është në pronësi të transmetuesit publik.

“Ngërçi politik që paralizon Kuvendin dhe mungesa e reformave ligjore kërcënojnë pavarësinë financiare dhe funksionimin e RTK-së,” paralajmëron raporti.

Sektori medial në Kosovë, sipas Komisionit Evropian “vuan nga mungesa e transparencës në pronësinë dhe financimin e mediave.”

Regjistri aktual përfshin vetëm radio dhe televizione të licencuara, ndërsa të dhënat për pronarët përfundimtarë dhe pjesën e tregut “nuk janë të disponueshme.”

“I kombinuar me mungesën e qëndrueshmërisë financiare, kjo e bën sektorin ose të varur nga donatorët e huaj ose të prekshëm ndaj ndikimit politik dhe presionit financiar”, thekson raporti.

Komisioni tutje shton se mediat e pavarura, veçanërisht ato të komuniteteve jo-shumicë, ende nuk kanë fonde të mjaftueshme.

Sa i përket kushteve të puëns dhe sigurisë profesionale, raporti nënvizon se kushtet e punës për gazetarët mbeten të dobëta, me paga të ulëta, kontrata afatshkurtra dhe status të pasigurt ligjor.

Këshilli i Mediave të Shkruara ka zgjedhur një kryetar të ri dhe ka ndryshuar statutin për ta rritur efikasitetin e tij, ndërsa transmetuesi publik mbetet e vetmja media me sindikatë.