KDI: Shqetësuese mungesa e të dhënave për të hyrat vetanake të komunave
Rreth 60 për qind e komunave nuk e kanë bërë hapjen e plotë të të dhënave të tyre dhe është shqetësuese mungesa e publikimit të borxhit si dhe mungesa e të dhënave për të hyrat vetanake të komunave, tha të mërkurën Instituti Demokratik i Kosovës, në publikimin e të gjeturave të raportit “Transparometru Komunal 2024”.…

Lajme
Rreth 60 për qind e komunave nuk e kanë bërë hapjen e plotë të të dhënave të tyre dhe është shqetësuese mungesa e publikimit të borxhit si dhe mungesa e të dhënave për të hyrat vetanake të komunave, tha të mërkurën Instituti Demokratik i Kosovës, në publikimin e të gjeturave të raportit “Transparometru Komunal 2024”.
Në një konferencë për media, Besnik Ramdanaj nga KDI tha se të gjeturat kryesore të këtij hulumtimi janë mungesa e njoftimeve publike për lansimin e uebfaqeve të reja si dhe mungesa e një strukturimi unik dhe të standardizuar të informatave në uebfaqeve të komunave.
“Të gjeturat kryesore gjatë këtij hulumtimi kanë qenë, fillimisht ka qenë mjaft shqetësuese dhe do ta adresojmë dhe do të avokojmë është mungesa e njoftimeve publike për lansimin e uebfaqeve të reja. Pastaj nuk ka informata publike për adresat e tyre. Mungon një strukturim unik dhe i standardizuar i informatave në uebfaqet e komunave. Pastaj, rreth 90 për qind të komunave nuk ofrojnë qasje të plotë në dokumentet publike në gjuhët zyrtare. Afër 60 për qind e komunave nuk kanë bërë hapjen e plotë të të dhënave të tyre. Mungesa e mjaftueshme e diskutimeve për buxhetin e vitit 2025 që ka qenë në radhë. Diçka shqetësuese është mungesa e publikimit të borxhit komunal që autoritet lokale i lënë, sikurse edhe mungesa e të dhënave për të hyrat vetanake të komunave”, tha Ramadanaj.
Ramadanaj tha se ka një ngritje shumë të lehtë të performancës në transparencë prej rreth 5 për qind në nivel të komunave.
“Vlerësimi mesatar i përgjithshëm për 38 komuna këtë vit është 68.34 pikë nga 62.42 sa ka qenë në vitin 2023. Pra, e kemi një ngritje shumë të lehtë të performancës në transparencë prej rreth 5 për qind në nivel të komunave. Për zyrën e kryetarëve ka qenë rezultati me 71, 5 për qind të performancës, përderisa kuvendet komunale kanë performuar me 71.03. Pra, është një përqindje e afërt e performancës në transparometri. Sa i përket rezultateve të përgjithshme për nga performanca në transparencë prijnë katër komuna të cilat janë renditur si të parat. Është komuna e Ferizajt, Gjakovës, Lipjanit dhe Prizrenit, pasuar nga komuna e Drenasit, Klinës, Obiliqit, Rahovecit, Jinkut , Vushtrrisë dhe Peja”, potencoi Ramdanaj.
Ndërkaq ndër rekomandimet e KDI-së për komunat janë që të njoftohen qytetarët për adresën zyrtare si dhe të organizohen dhe publikohen dokumentet sipas seksioneve përkatëse.
“Për komunat do të kërkojmë që të njoftohen qytetarët për adresën zyrtare, domenin e uebfaqeve të reja të komunave. Të organizohen dhe publikohen dokumentet sipas seksioneve përkatëse. Të emërtohen dokumente publike sipas përmbajtjes. Rekomandimi për Agjencinë e Shoqërisë së informacionit do të kërkojmë dhe të lobojmë që të sigurohet transferimi i të gjitha të dhënave, pa të bëhet migrimi i të dhënave, procesi i transferimit dhe arkivit të të gjitha informatave në mënyrë sa më të shpejtë dhe sa më efikase. Rekomandimet për Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal kërkojmë që në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse të krijojë rregullativën e nevojshme së bashku me një manual udhëzues për standardet për të gjitha komunat”, tha Ramadanaj.
Ndërkaq, Selvije Kurti nga KDI tha se përmes këtij raporti dhe diskutimeve, synohet të theksohet rëndësia e rritjes së transparencës nga funksionimi i uebfaqeve komunale tek publikimi i dokumenteve.
“Transparencë nuk është vetëm një parim i domosdoshëm i demokracisë funksionale, por edhe një obligim kushtetues dhe ligjor i institucioneve publike ndaj qytetarëve. Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet përkatëse garantojnë të drejtën e secilit qytetar, pa asnjë dallim për të pasur qasje në dokumente publike dhe për të marrë pjesë aktivisht në proceset e vendimmarrjes. Prandaj, transparenca nuk është çështje e vullnetit politik, nuk është çështje e vullnetit të lirë, por është një detyrim ligjor dhe një formë llogaridhënie për mënyrën se si po menaxhohen burimet publike. Përmes këtij raporti dhe diskutimeve të sotme synojmë të theksojmë rëndësinë e rritjes së transparencës dhe të gjitha format nga funksionimi i uebfaqeve komunale tek publikimi i dokumenteve dhe garantimi i të drejtës themelore të gjithë qytetarit për informim dhe përfshirje në çdo gjuhë dhe nga çdo zonë”, tha Kurti.
Ndër të tjera, në këtë raport thuhet se rreth 32 për qind e komunave nuk e kanë një linjë telefonike direkte pa pagesë për qytetarët – një instrument që do të lehtësonte në masë qasjen dhe koston e qytetarëve ndaj komunave për shërbimet e tyre.