KDI alarmon për profile fallco në rrjetet sociale që synojnë ndikimin në zgjedhjet e 28 dhjetorit

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka bërë me dije për hapjen e shumë profileve fallco në rrjetet sociale, të cilat, sipas tij, përdoren për të prodhuar lajme të rreme me qëllim të ndikimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se ndikimi i dezinformimit në një demokraci të…

Lajme

22/11/2025 09:34

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka bërë me dije për hapjen e shumë profileve fallco në rrjetet sociale, të cilat, sipas tij, përdoren për të prodhuar lajme të rreme me qëllim të ndikimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se ndikimi i dezinformimit në një demokraci të brishtë si Kosova është shumë më i drejtpërdrejtë, transmeton lajmi.net.

“Duke parë shumë profile të hapura në rrjetet sociale, tashmë të faktuara edhe si fallco, vërehet angazhim i madh për të përdorur lajme, video e fotografi dezinformuese me të vetmin qëllim: ndikimin në zgjedhje. Dezinformimi sot është një betejë globale, madje edhe në demokracitë më të zhvilluara. Por ndikimi i tij në demokracitë e brishta, si Kosova, është shumë më i drejtpërdrejtë: ai godet vlerat dhe aspiratat demokratike të shtetit. Në vend që dezinformimi të luftohet dhe të minimizohet, tek ne është shndërruar gati në mjetin kryesor të të zgjedhurve dhe të emëruarve në pozita politike e shtetërore. Për një kohë të gjatë, përveç kundërshtarëve politikë, shënjestër kryesore janë bërë mediat, gazetarët, analistët dhe aktivistët e shoqërisë civile”, ka shkruar ai.

Ai shtoi gjithashtu se: “Demokracia nuk matet vetëm me ditën e e votimit dhe pranimin formal të rezultateve, por si ta mbrojmë të vërtetën, integritetin e institucioneve dhe themelin e kulturës sonë demokratike nga manipulimet e qëllimshme për të ndikuar zgjedhjet. Nuk mund të aspirosh zgjedhje me integritet, e as shtet demokratik, nëse karrigen e pushtetit dhe të shtetit e përdor si mjet për dezinformim, shpifje e linçim”.

Kryeziu ka theksuar rëndësinë e monitorimit të këtij fenomeni, duke paralajmëruar se dezinformimi mund të minojë proceset demokratike dhe integritetin e zgjedhjeve në Kosovë./lajmi.net/