KDI: Afatet kushtetuese janë garanci për funksionim demokratik, jo komoditet për mosveprim
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas situatës së krijuar lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe interpretimin e afateve kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, duke theksuar rëndësinë e respektimit të rregullave dhe afateve si themel për stabilitet institucional dhe rend demokratik. Në komunikatën e lëshuar, KDI vlerëson si të drejtë veprimin e Presidentes së Republikës,…

Lajme
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas situatës së krijuar lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe interpretimin e afateve kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, duke theksuar rëndësinë e respektimit të rregullave dhe afateve si themel për stabilitet institucional dhe rend demokratik.
Në komunikatën e lëshuar, KDI vlerëson si të drejtë veprimin e Presidentes së Republikës, e cila iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për interpretim të situatës së krijuar, por ngre pikëpyetje mbi kohën dhe arsyetimin e kërkesës së saj.
“Kërkesa për interpretim, e bërë vetëm pak ditë para përfundimit të afatit kushtetues 30-ditor, krijon dilema se pse është bërë në këtë moment, përderisa Kuvendi ende ka kohë për t’u konstituuar”, thuhet në reagim.
KDI thekson se, në vend që të pritej skadimi i afatit dhe të qartësoheshin pasojat që nga shpallja e aktgjykimit të 26 qershorit, kërkesa aktuale duket se paragjykon rezultatin dhe u jep “komoditet” për mosveprim subjekteve politike dhe deputetëve.
Sipas institutit, kërkesa për pezullimin e afatit kushtetues në formën e një mase të përkohshme është e paarsyeshme dhe rrezikon të dobësojë rolin detyrues të Kushtetutës.
“Mosrespektimi i afatit përbën dështim në përmbushjen e një detyrimi themelor kushtetues. Afatet nuk janë formalitet – ato janë substancë e rendit demokratik”, thuhet më tej.
KDI i bën thirrje subjekteve parlamentare dhe deputetëve që të veprojnë me përgjegjësi, të respektojnë Kushtetutën dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit brenda afateve të përcaktuara.
Në fund, KDI thekson se Gjykata Kushtetuese mund të ndihmojë në sqarimin e pasojave pas përfundimit të afatit, por nuk duhet të shërbejë si mekanizëm për të pezulluar përgjegjësinë politike dhe institucionale të akterëve.
Komunikata e plotë: