“Kazan qeverisës”, Haliti: Kurti ka nevojë për Limajn për t’ia kaluar “ylberin” që ta formojë qeverinë
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke analizuar raportin mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, si dhe mundësinë e një koalicioni të ri qeverisës. Në një postim në Facebook, Haliti tha se, ndonëse nuk ka informacion të…

Lajme
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke analizuar raportin mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, si dhe mundësinë e një koalicioni të ri qeverisës.
Në një postim në Facebook, Haliti tha se, ndonëse nuk ka informacion të konfirmuar për një takim ndërmjet Kurtit dhe Limajt, ai theksoi se të dy politikanët kanë përgjegjësi të mëdha ndaj elektoratit dhe shtetit të Kosovës.
“Fatmiri ka edhe një përgjegjësi shtesë, që është besë (e besë në politikë s’ka), ndaj partnerit – AAK-së, me të cilin duhet të jetë fer dhe të paktën ta njoftojë për shkurorëzimin politik,” shkroi Haliti.
Ai u shpreh se nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për një iniciativë serioze apo për një “tymnajë mediatike” që synon të përgatitë opinionin për negociata të mundshme.
Sipas Halitit, PDK-ja është e vetmja parti që nuk ka qenë pjesë e “kazanit qeverisës” dhe kjo, sipas tij, i ka lejuar të ruajë një qëndrim të qartë ndaj negociatave për formimin e qeverisë.
Ai përmendi edhe Nismën Socialdemokrate si një partner të mundshëm të Vetëvendosjes në një koalicion të ri qeveritar. “Në vështrimin tim, Kurti ka nevojë për të bërë koalicion me një parti të vogël, e cila ia mundëson kalimin e ‘ylberit’, siç është Nisma Socialdemokrate, parti me ideologji të majtë si VV,” tha Haliti.
Duke komentuar heshtjen publike të Kurtit dhe Limajt, Haliti tha se një marrëveshje për mostransparencë mes tyre është e mundur.
“Sa i përket heshtjes së Limajt dhe Kurtit, si dhe zhurmës se a janë takuar apo jo, mendoj që janë takuar, por ende nuk kanë arritur të bëjnë marrëveshje… Heshtja dypalëshe është tregues i mirë që kanë një marrëveshje për mostransparencë dhe për të heshtur,” theksoi ai.
Haliti u shpreh skeptik për qëndrueshmërinë e një koalicioni të mundshëm mes VV-së dhe Nismës, duke potencuar se një qeveri e tillë do të kërkonte përfshirjen e pakicave, përveç Listës Serbe.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ftuar për takim kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun. Në një letër të siguruar nga Insajderi, Kurti e fton Abdixhikun për konsultime rreth formimit të institucioneve.
“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së qeverisë, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 09:00 ose 14:00,” thuhet në letrën e Kurtit.
Kurti ka pranuar më herët se nuk i ka ende numrat për të formuar qeverinë, duke pretenduar se disa deputetë të pakicave po shantazhohen nga Beogradi. Ende nuk dihet nëse e njëjta ftesë i është dërguar edhe PDK-së apo AAK-së.