Katërshi në 6 të mëngjesit

Autobusi Nr.4 në 06:00 të mëngjesit disi paraqet shpirtin e mirë të këtij populli. Shpirtin që duhet patjetër ta kthejmë.

Opinion

09/10/2013 13:48

Mbylla veturën afër ëmbëltores “Sulltan” dhe u afrova tek stacioni i autobusit afër gjimnazit Sami Frashëri. Në 06:30 të mëngjesit ishin të rrallë njerëzit që kalonin atypari. Linja e vetme që ka mbetur publike është linja 4, që shkon nga Bregu i Diellit e deri te pishina e Gërmisë. Këtë linjë e kam përdorur jo rrallë gjatë dimrit për të shkuar në AUK në Gërmi.

Por asnjëherë s’e kam përdorur kaq herët, në orën 6 të mëngjesit. Babai im i ndjerë kishte shkuar për rreth pesë vjet pothuajse çdo ditë në Gërmi në këtë kohë, edhe e bënte me shumë qejf e dëshirë. Duke dëgjuar tregimin e tij për pensionistët që udhëtojnë me këtë autobus, vendosa edhe unë ta provoj këtë orar.

Në stacion ishte duke pritur një plak, i cili dukej se mezi kishte arritur aty. Më përshëndeti me kokë. Pas pak momentesh erdhi edhe Sadri Ramabaja. Kur e pyetëm plakun se ku po shkonte, ai na tha 85. Kishte një aparat në vesh dhe nuk dëgjonte mirë. Supozuam se 85 ishte mosha e tij. Ai e refuzonte çdo veturë private, ku shoferi i kishte të ngritur katër gishtat për të treguar numrin e linjës. Priste me këmbëngulje autobusin numër katër.

E ky sot u vonua për më shumë se një orë, sepse shoferi dhe konduktori nuk kishin pasur arkën fiskale, pa të cilën nuk kishin guxuar të niseshin. Arkat i kishte mbyllur dikush në zyrë dhe për këtë arsye nuk ishin nisur me kohë. Sot bëri një mëngjes goxha i ftohtë, por pensionistët pritën. Autobusi më në fund mbërrit në 07:30.

Brenda ishin pensionistët që shkëmbenin tallje me shoferin, të cilin e njihnin shumë mirë sepse pothuajse për çdo ditë ishin me të. Një atmosferë që rrallë më e sheh nëpër Prishtinë, e nëpër Kosovë. Njerëz që me kënaqësi ikin për në Gërmi, në qetësinë dhe ajrin e pastër atje. Qindra vite përvojë, të cilat kthehen në satirë dhe hajgare për njëri-tjetrin. Rreth 300 pensionistë, të cilët e njohin njëri-tjetrin shumë mirë dhe e dinë se ku kanë punuar secili prej tyre dhe cila ishte ekspertiza e tyre. Disa më tregojnë se kanë shkuar me babain tim për çdo ditë në Gërmi. Tallen me faktin se gjysmën e udhëtarëve nuk do t’i takoj vitin e ardhshëm.

Diskutimi kthehet mbi gjendjen politike e sociale. Nuk e kuptojnë se si po duron populli dhe qytetari. Flasin për kohëra të tjera kur ishte shumë më mirë, kur respekti mes njerëzish ishte shumë më i madh. Dhe flasin për faktin se bileta mujore që e kanë për Gërmi kushton 10 euro. Absurditet thonë, kur pensioni për shumicën është 60 euro, e bileta ua merr 10. Njëri prej tyre më thotë se kur e blen mujoren 10 euro, atëherë detyrohet me dalë për çdo mëngjes, sepse ashtu i nxjerrë paratë e biletës. Më flasin për politikë dhe garën për Komunë.

Pastaj, prapë kthehen në hajgare. Në Vila Gërmia e pinë nga një çaj, makiato, ose edhe nga një çorbë, të cilat janë me çmim më të ulët prej orës 7:00 deri në 9:00. Ky është autobusi i vetëm i linjës 4 që shkon deri te restorantet lart. Pas gjysmë ore dhe një kafeje me shoferin dhe konduktorin, kthehemi për në qytet. Rrugës më ulet afër një plak 83 vjeç, i cili me lot në sy më tregon për hallet dhe sëmundjet e tij, por nuk kërkon asgjë. Thotë se është invalid tetëdhjetë për qind, por që kishte memorie të jashtëzakonshme. M’i numëron Kryetarët e Komunës së Prishtinës një nga një dhe më tregon detaje për secilin prej tyre. Më tregoi se jeton vetë me plaken, e djali i viziton nganjëherë. Thotë se nga politika nuk kërkojnë asgjë vetëm që të takohet dikush me ta dhe t’i dëgjojë hallet e tyre.

Njëri më thërret dhe më tregon për shokun e tij, i cili ka punuar në Termocentralet A dhe B, që i ka mbikëqyrë gjatë tërë kohës. Ai thotë se i njeh ato termocentrale sikur shtëpinë e vetë, por i zhgënjyer thotë se prej atëherë nuk është ndërtuar asgjë atje.

Solidariteti  mes tyre, hajgaret me të cilat ikin nga realiteti, Gërmia që ua ofron hapësirën, përvoja e tyre e përbashkët që numëron qindra vjet, krahasimet që i bëjnë, dhe në fund zhgënjimi me përbuzjen që u bëhet atyre, e bën udhëtimin me këtë autobus të veçantë. Disi nuk ke çka u tregon. Por, disi ata e dinë.

Juve, miq, nga zemra ju rekomandoj që së paku një herë në javët e ardhshme ta bëni një xhiro në autobusin numër 4 për në Gërmi, në 6:00 të mëngjesit. Nuk do të zhgënjeheni. Hyni në biseda me pensionistët, do të mësoni shumë edhe për vetëm gjysmë ore.

Njëri prej tyre më thotë se zgjohet në orën 4:00 për ta pritur autobusin. Më mirë të zgjohet me zhurmën e autobusit sesa më zhurmën e nipave dhe mbesave, shpjegon. Prapë shkëmbejnë tallje me shoferin. Autobusi Nr.4 në 06:00 të mëngjesit disi paraqet shpirtin e mirë të këtij populli. Shpirtin që duhet patjetër ta kthejmë.