Katërmbëdhjetë vjet nga zgjedhja e Atifete Jahjagës presidente
Me 80 vota pro, Kuvendi i Kosovës më 7 prill 2011 ka zgjedhur ish-zëvendësdrejtoren e përgjithshme të Policisë së Kosovës, Atifete Jahjagën, në postin e presidentes. Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në…

Lajme
Me 80 vota pro, Kuvendi i Kosovës më 7 prill 2011 ka zgjedhur ish-zëvendësdrejtoren e përgjithshme të Policisë së Kosovës, Atifete Jahjagën, në postin e presidentes.
Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christofer Dell.
Ajo fitoi në rrethin e parë të votimit teksa kundërkandidate kishte deputeten e AKR-së, Suzana Novobërdaliun, e cila mori vetëm dhjetë vota, përderisa dhjetë vota të tjera ishin të pavlefshme.
Presidentja e zgjedhur, Atifete Jahjaga, kishte dhënë betimin para Kuvendit se do të mbrojë Kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.
Në fjalimin e parë në parlamentit, Jahjaga tha se ka vullnet dhe vetëbesim që të ndihmojë reformat dhe ndryshimet pozitive në Kosovë. Procesi i votimit ishte bojkotuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në fund, me 75 vota për dhe 2 abstenime Kuvendi ka miratuar edhe rezolutën me të cilën përkrah marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi, liderit të LDK-së Isa Mustafa, dhe ish-kandidatit për president, Behgjet Pacolli.
Në këtë marrëveshje është përfshirë edhe pajtimi i treshes për ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore, zgjedhjet presidenciale pas afërsisht një viti e gjysmë dhe zgjedhjet parlamentare pas afërsisht dy vjetësh e gjysmë.
Kush është Atifete Jahjaga?
Atifete Jahjaga u lind më 20 prill 1975 në Gjakovë. Shkollimin fillor, atë të mesëm dhe studimet i kreu në Fakultetin Juridik në Prishtinë.
Përfundoi edhe studimet në Universitetin Leicester në Angli, certifikimin post-diplomik në menaxhimin policor dhe së drejtës penale në vitin 2006/2007 dhe certifikimin post-diplomik në shkenca kriminalistike në Universitetin e Virxhinias në SHBA.
Karrierën e saj e nisi në Policinë e Kosovës, duke qenë e angazhuar në sektorë të ndryshëm të këtij institucioni, që nga patrullimi e deri te hetuesia.
Ka kryer edhe trajnimin në Qendrën Evropiane të Sigurisë “George Marshall” në Gjermani dhe në Akademinë Nacionale të FBI-së në Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Jahjaga ka ushtruar postin e zëvendësdrejtores së përgjithshme të Policisë së Kosovës, ndërsa një kohë ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni.