Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër me shtatë fëmijë

Infermieret e kanë uruar në tri raste të ndryshme me fjalët e njëjta Ismet Halilin në korridoret e Gjinekologjisë: “Urime! Gruaja dhe binjakët janë mirë”!

Lajme

08/03/2015 08:57

Halili është baba i tri palë binjakëve. Bashkëshortja dy herë lindi binjake dhe një herë trinjakë. Prindi i shtatë fëmijëve thotë se nuk do të ishte habitur po ta kishte marrë urimin e njëjtë edhe pas shtatzënësisë së katërt të gruas. Më i vogli prej fëmijëve të Halilit është një vjeç. Të mëdhenjtë i ka katërmbëdhjetë vjeç.

Ai është vetë një prej shumë romëve të Plemetinit të Kastriotit që është martuar në moshën e pubertetit. “Jam martu katërmbëdhjetë vjeç”, e thotë me qeshje burri 30-vjeçar, që duket afër të dyzetave, shkruan Gazeta KOha Ditore.

Tregon se e ka lodhur jeta e mundimshme për t’ia dalë mbanë që të sigurojë kafshatën e gojës së familjes prej tetë anëtarësh.

Në fshatin e vërshuar nga mbeturinat dhe hiri kancerogjen që nxjerrin tymtarët e termocentralit “Kosova B”, askush prej romëve të intervistuar nuk ka dëgjuar për debatin që ka shkaktuar deklarata e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, që “ata që marrin nga 300 euro të mos i bëjnë nga shtatë fëmijë”.

“Unë nuk e di çka ka thënë ai ministri, veç me pasë k’tu ia kisha ngjit për syze”, thotë Halili, që nuk dëgjon lajme e debate politike.

Deklarata kundërthënëse nuk ia ndryshon mendimin për, sipas tij, politikanin më të fuqishëm në Kosovë. “A Hashim Thaçin e votoj gjithë, se ai i ka shti krejt n’rreth, edhe po lun shah-mat me krejt”, thotë ai…, shkruan Koha Ditore.