Katër të lënduarit nga zjarri në Koçan vazhdojnë të jenë në gjendje kritike
Dy pacientë të lënduar nga zjarri në Koçan të cilët po trajtoheshin jashtë shtetit mbrëmë janë kthyer në Maqedoni të Veriut, ndërsa gjatë ditës do të kthehen edhe pesë të tjerë, katër nga Spanja dhe një nga Greqia, me çka numri i përgjithshëm i pacientëve që trajtohen jashtë vendit nga 115 do të ulet në…

Lajme
Dy pacientë të lënduar nga zjarri në Koçan të cilët po trajtoheshin jashtë shtetit mbrëmë janë kthyer në Maqedoni të Veriut, ndërsa gjatë ditës do të kthehen edhe pesë të tjerë, katër nga Spanja dhe një nga Greqia, me çka numri i përgjithshëm i pacientëve që trajtohen jashtë vendit nga 115 do të ulet në 108.
Ndërkaq, katër pacientë të cilët ndodhen jashtë shtetit për mjekim ende janë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
“Pacientët të cilët shërohen jashtë shtetit janë 113, të cilët janë në gjendje relativisht stabile , katër pacientë vazhdojnë të jenë në gjendje kritike. Dje u kthyen dy pacientë, sot kthehen 5 pacientë tjerë. D.m.th jashtë shtetit sonte do të mbesin vetëm 108 pacientë që shërohen”, tha Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë në Maqedoni të Veriut, raporton Alsat-M.
Të gjithë pacientët që do të kthehen do t’i nënshtrohen një monitoringu 24 orësh nga mjekët vendas, dhe më pas do të lëshohen nga spitali.
Sa i përket numrit të pacientëve që po mjekohen në klinikat e Maqedonisë së Veriut, momentalisht është 23, pasi mbi 12 pacientë janë lëshuar për kurim shtëpiak. Katër pacientë ndodhen në Qendrën Klinike, gjashtë në spitalin e vjetër të qytetit, 9 pacientë janë në Klinikën “8 Shtatori” dhe katër pacientë të tjerë janë në klinikat private të vendit.