​Katër skuadrat kosovare në garat evropiane tregojnë synimet e tyre

Drita, Ballkani, Prishtina dhe Malisheva janë ekipet që përfaqësojnë futbollin e Kosovës në edicion e ri garues evropian 2025/26. Nga shorti i hedhur në fillim të kësaj jave në selinë e UEFA-s në Zvicër, secila prej tyre tashmë ka mësuar rivalët në garat respektive ku marrin pjesë, e që nuk janë aspak të lehtë. Përkundër…

Sport

22/06/2025 11:17

Drita, Ballkani, Prishtina dhe Malisheva janë ekipet që përfaqësojnë futbollin e Kosovës në edicion e ri garues evropian 2025/26.

Nga shorti i hedhur në fillim të kësaj jave në selinë e UEFA-s në Zvicër, secila prej tyre tashmë ka mësuar rivalët në garat respektive ku marrin pjesë, e që nuk janë aspak të lehtë. Përkundër kësaj, drejtuesit e klubeve të futbollit nga Kosova shprehen optimistë se do të kalojnë në raundet e radhës.

Drejtori i klubit të futbollit Drita, që njëherësh është skuadër kampione e Kosovës, Feti Murseli, thotë për KosovaPress se në Ligën e Kampionëve nuk ka kundërshtarë të lehtë, por ai është optimist se do ta eliminojnë skuadrën Differdange nga Luksemburgu.

“Në krahasim me vitet e kaluara është short më i mirë, nuk do të thosha më i lehtë, sepse nuk ka ekipe të lehta në futboll në asnjë ligë, por sidomos në Ligën e Kampionëve. Kemi pasur lojë në Luksemburg edhe në vitin 2018 në Ligën e Evropës, atëherë jemi eliminuar, shpresoj që këtë vit ta ndryshojmë dhe të kualifikohemi në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve që do të ishte sukses i madh edhe për ne, por edhe për futbollin e Kosovës në përgjithësi…Drejtori sportiv dhe stafi i trajnerëve kanë përgatitur listën. Kemi dy prurje të reja që nuk i janë bashkuar ende ekipit dhe eventualisht ndonjë prurje tjetër që jemi në pritje deri në fund të muajit, përndryshe ekipi është i kompletuar”, theksoi Murseli.

Nga ana tjetër, Prishtina në kuadër të raundit të parë të Ligës së Evropës do të ballafaqohet me Sheriff Tiraspol, skuadër për të cilën drejtori i klubit nga kryeqyteti Artan Osmani thotë se nuk është në formën më të mirë krahasuar me vitet e kaluara, andaj gjasat për të kaluar në raundit tjetër janë më të mëdha.

“Praktikisht shorti e kemi pritur që nuk do të jetë i lehtë, cilado prej skuadrave që do ta na binte në short nuk kanë qenë të lehta. Mendoj që kemi shanse, duhet të bëjmë një lojë të mirë, siç e ka thënë edhe trajneri, ta marrim një rezultat pozitiv si mysafir dhe pastaj mund të shpresojmë diçka. Sido që të jetë ne duhet ta bëjmë maksimumin, mendoj se kemi gjasa, fatmirësisht kundërshtari nuk është siç ka qenë para disa viteve kur ishin shumë të fortë, me lojtarë shumë të vlefshëm, këtë vit janë pak më dobët kështu që besoj se kemi shanse edhe ne”, u shpreh Osmani.

Malisheva në raundin e parë të Ligës së Konferencës do të përballet me Vikingur Reykjavik nga Islanda, skuadër kjo e cila sipas drejtorit të këtij klubi, Sami Boroci, duhet respektuar pasi që ajo ka përvojë të madhe në garat evropiane.

“Kundërshtari nuk është më i lehti i mundshëm, pasi kemi një ekip cilësor dhe i cili është aktualisht në kampionat dhe po zhvillon gara, normalisht që është e konsoliduar, ekip që vitin e kaluar ka lënë gjurmë në garat evropiane dhe që e ka një histori dhe mendoj që është ekip për t’u respektuar dhe nuk do të jetë një përballje e lehtë, por ne jemi duke i bërë përgatitjet e nevojshme për ta kaluar këtë raund dhe besojmë dhe jemi shumë optimistë se do ta kalojmë”, tha Boroci.

Ndryshe nga tri skuadrat e tjera, nënkampioni i Kosovës, Ballkani, në Ligën e Konferencës garat do t’i nisë nga raundi i dytë, ku do të presë fituesin e duelit ndërmjet Floriana FC – Maltë dhe Haverfordwest Country AFC – Uells. /kp