Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë, një person dërgohet në mbajtje
Policia e Kosovës ka raportuar për katër raste të dhunës në familje të evidentuara gjatë 24 orëve të fundit në Fushë Kosovë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Gjilan. Në Fushë Kosovë, ditën e djeshme janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë nën dyshimin se kishin ushtruar dhunë ndaj një gruaje, shkruan lajmi.net. “Viktimës i është ofruar…
Lajme
Policia e Kosovës ka raportuar për katër raste të dhunës në familje të evidentuara gjatë 24 orëve të fundit në Fushë Kosovë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Gjilan.
Në Fushë Kosovë, ditën e djeshme janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë nën dyshimin se kishin ushtruar dhunë ndaj një gruaje, shkruan lajmi.net.
“Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit, pas intervistimit, janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin policor.
Një rast tjetër është raportuar në Pejë, ku është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar për dhunë në familje ndaj viktimave kosovare.
“Në konsultim me prokurorin i dyshuari, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt”, njofton policia.
Ndërkaq, në Mitrovicë të Jugut, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar nga një grua tjetër.
“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar nga e dyshuara femër kosovare”, thuhet në raport. Sipas policisë, nuk janë raportuar lëndime, ndërsa për rastin është njoftuar prokurori.
Rasti më i rëndë është raportuar në Gjilan, ku një burrë është arrestuar nën dyshimin se në vazhdimësi i kishte dërguar mesazhe kërcënuese dhe shqetësuese viktimës.
“I dyshuari mashkull kosovar në vazhdimësi i ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese e shqetësuese viktimës kosovare”, bën të ditur policia.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari në Gjilan është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rastet e tjera po trajtohen në procedurë të rregullt. /Lajmi.net/