Katër propozime për një Komunë më efikase

KDI ka prezantuar sot 4 propozime të cilat do të rrisnin efikasitetin dhe llogaridhënien e Kuvendeve Komunale. Ata propozojnë 10 drejtori për Prishtinën, përfaqësim më të madh të femrave si dhe transparencë të buxhetit.

Lajme

21/12/2013 12:51

Instituti Demokratik i Kosovës ka paraqitur sot propozimet e saj për reformimin e pushtetit lokal.

Kështu, KDI propozon shkurtimin e numrit të drejtorive komunale, kategorizimin e pagave, transparencën e buxhetit si dhe përfshirjen sa më të madhe të femrave në udhëheqjen e drejtorive komunale.

Drejtori ekzekutiv i KDI’së, Ismet Kreyziu tha se KDI ka përzgjedhur këto fusha që të bëhen ndryshme në mënyrë që të rritet efikasiteti i komunave.

“Dimensionet të cilat ne i kemi përzgjedhur janë për reformimin e pushtetit lokal të cilat mendojmë se do të ngrisin efikasitetin në qeverisjen lokale janë dimensione të cilat ndikojnë në riformim të pushtetit lokal”.

“Ne kemi menduar që përmes këtyre kategorive të krijojmë mundësinë për një efikasitet dhe një menaxhim më të mirë. Një llogaridhënie më të mirë të drejtorëve dhe një transparencë më të mirë nga ana e Kuvendeve Komunale”.

Ndërkaq, Jetmir Bakija, Menaxher për Qeverisje Lokale, paraqiti propozimin e KDI’së, për shkurtimin e drejtorive në të gjitha Komunat.

Ai tha se edhe një Komunë e madhe siç është ajo e Prishtinës nuk ka nevojë të ketë më shumë se 10 drejtori, ndërkaq Komunat tjera duhet të kenë drejtori  në bazë të numrit të popullsisë.

“ Propozimi jonë është që numri i drejtorive të bazohet në numrin e ulëseve në Kuvendet Komunale”.

“Ne në bazë të analizës sonë, themi se një Komunë, edhe Prishtina si më e madhja, nuk ka nevojë më shumë se 10 drejtori”.

“Komunat më të vogla, duke u bazuar në numrin e banorëve dhe të ulëseve, atëherë të ju kufizohet në 6 drejtori, kurse komunat deri në 100 mijë banorë të kenë 7 drejtori, 8 drejtori për Prizrenin dhe Ferizajn, kjo gjithmonë duke u bazuar për një drejtori për 5 ulëse komunale”.

Ndërkaq, propozimi tjetër është që jo të gjithë drejtorët komunal të kenë pagë të njejtë, siç ka qenë deri më tani.

KDI propozon që të bëhet kategorizimi i pagave, në mënyrë që të mund të tërheqin nëpër komuna njerëz  më profesional.

“Aktualisht me udhëzimin që e ka lëshuar Kryeministria në vitin 2008, Udhëzimin për Pagat e Funksionarëve Politik, të gjithë drejtorët e komunave e kanë të njëjtën pagë, e kanë 525 euro bruto”.

“Shembull drejtorit të Prishtinës t’ i rritet paga për më shumë se 2 koeficient, më shumë se drejtorit në Junik”.

“Të kufizohet numri i drejtorive dhe të kategorizohen pagat që të mund të tërhiqen staf, të themi drejtorë më profesional”.

KDI bëri thirrje që të mirret në konsideratë përfaqësimi gjinor në drejtoritë komunale.

Jetmir Bakija tha se në Komunat e Kosovës ka femra që mund të udhëheqin një dikaster, andaj kërkoi nga kryetarët e rinj që përfaqësimi i tyre të merret parasysh.

“Po bëjmë thirrje tek kryetarët e komunave që të merret në konsideratë përfaqësimi gjinor në drejtoritë komunale”.

“Ne kemi pasur një gjendje të dobët të përfaqësimit gjinor. Kemi pasur 17 komuna që nuk kanë pasur asnjë femër në drejtori. Vetëm 4 komuna kanë pasur 2-3 femra në drejtori dhe kjo nuk i është afruar as 30 përqindëshit”.

“Ka në komunat tona edhe femra profesionale që mund të merren parasysh për të udhëhequr dikastere, por kjo është përgjegjësi edhe e kryetarëve të rinj”.

E si propozim të fundit, ishte transparenca e buxhetit. KDI kërkoi që Komunat publikojnë në ueb-faqet e tyre,buxhetet vjetore, sepse vetëm kështu rritet transparenca dhe efikasiteti.

“Kemi parë që për buxhetin e 2013, nëse shkon në ueb-faqe të komunave, më pak se gjysma e komunave e kanë transparente. Ndërsa për buxhetin e 2014, vetëm 3 komuna e kanë bërë publike, ato janë Gjilani, Shtimja dhe Dragashi”.

“Ne kemi një rregullore për transparencë të cilën e ka lëshuar Ministria e Pushtetit Lokal dhe po bëjmë thirrje që të bëjn presion që ta zbatojnë komunat. Kjo u bie barrë drejtorëve për buxhet dhe financa”.