Katër marrëveshjet jetike për Kosovën
Si politikë kosovare, jemi afër situatës kur mund të na ndodhë ftohja dramatike në raportet me SHBA-në. Ndërsa SHBA-ja është hisedari kryesor ndërkombëtar i çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës
Lajme
Këto ditë si politikë dhe si shoqëri, do të kthehemi së bashku njëzet vjet prapa, në shkurtin e vitit 1999-të, në kujtim të njëzet vjetorit të Konferencës së Rambouilletit në Francë.
Nuk ka dyshim për askë tani, që kjo Konferencë hapi dyertë e çlirimit të Kosovës, përmes fushatës ajrore të Aleancës Veri-Atlantike, dhe më pas u bë themel i ndërtimit të institucioneve demokratike në Kosovën e pasluftës, i cili pati epilogun, nëpërmjet të procesit të negociatave të Vjenës (2005, 2007), në shpalljen e shtetit të Kosovës.
Pa Rambouilletit nuk do të bëhej pra as çlirimi dhe as pavarësimi i Kosovës.
Nuk ishte e lehtë, megjithatë, të vendosej për pjesëmarrjen e Kosovës në Konferencën e Rambouilletit dhe për ta pranuar Marrëveshjen e Rambouilletit.
Kosova ishte mbushur me gati 100 mijë trupa ushtarake, policore dhe para-ushtarake serbe. Krimet kundër civilëve shqiptarë nuk kishin të ndalur as gjatë negociatave në Kështjellën e Rambouilletit.
Në anën tjetër, të gjithë anëtarët e Delegacionit të Kosovës në këtë Konferencë, e dinin mirë që në ato rrethana nuk ishte e mundur që të mbërrihej (menjëherë), pavarësia e Kosovës.
Megjithatë, si Kosovë, kishim mbërri në një udhëkryq të madh politik dhe luftarak, ku kërkoheshin vendimet e mëdha, të ndërtuara mbi kompromiset e pashmangshme në ato rrethana, të cilat si orientim themelor kishin largimin ushtarak dhe politik të Serbisë nga Kosova, dhe mbërritjen në Kosovë të Paktit NATO (fillimisht të 25 mijë trupave siç parashihej me Marrëveshjen e Rambouilletit), të BE-së, të SHBA-së, të Perëndimit.
Delegacioni i Kosovës, por edhe të gjithë qytetarët e këtij vendi, e dinin fare mirë që formula e Rambouilletit, për largimin e Serbisë nga Kosova dhe për vendosjen e Perëndimit në Kosovë, nuk ksihte si mos të rrumbullakësohej me pavarësinë e Kosovës.
Dihet fati i kësaj Konference. Autoritetet negociatore të Kosovës, u treguan largpamëse, ato të Serbisë zgjodhën luftën me Perëndimin.
Dihej kush do të dilte fitues dhe kush humbës.
Megjithatë, në Rambouillet, politikanët e Kosovës të të gjithë krahëve politikë dhe ushtarakë, edhe pse kurrë nuk pati Marrëveshje me përfaqësuesit e Serbisë, arritën të bëjnë disa Marrëveshje të tjera, pa të cilat asnjëherë nuk do të mbërrinim as në 12 qershorin e vitit 1999-të (hyrja e Paktit NATO në Kosovë), dhe as në 17 shkurtin e vitit 2008-të (shpallja e pavarësisë).
Marrëveshja e parë ishte ajo brenda vetë Delegacionit të Kosovës, e cila pati reflektim të gjërë në gjithë shoqërinë kosovare. Pati pra dakordim të plotë për përkrahjen e Ofertës së Konferencës së Rambouilletit.
Marrëveshja e dytë ishte me SHBA-në, që ishte faktori vendimtar për çlirimin e Kosovës. Në Rambouillet objektivisht u hodhën themelet e atij partneriteti dhe miqësie afatgjatë të Kosovës dhe SHBA-së, të vulosura edhe me atë pohimin e njohur të Zonjës Sekretare Albright: ‘SHBA do të jetë gjithmonë me ju…’.
Marrëveshja e tretë në vijim të kësaj të mëparmes, kishte të bëjë me marrëdhënien në mes të Kosovës dhe Paktit NATO, të udhëhequr atëherë nga Javier Solana dhe Wesley Clark.
NATO efektivisht u bë Armatë e Kosovës në fazën më të rëndë të luftës.
Marrëveshja e katërt ishte në mes të Kosovës dhe BE-së. BE do të ishte strumbullari politik dhe ekonomik/ financiar, për mëkëmbjen e Kosovës në periudhën e pasluftës.
Pa këto katër Marrëveshje që u bënë në shkurtin, marsin e vitit 1999-të, nuk do ta bënim paqen, nuk do ta krijonim demokracinë, nuk do ta ndërtonim shtetin.
Këto Marrëveshje ne i mbajtëm edhe në kohën e negociatave të Vjenës, kur Serbia edhe një herë kundërshtoi që të pajtohej me një përfundim të pashmangshëm të një kontesti tragjik dhe të përgjakshëm historik një shekullor shqiptaro-serb, siç ishte pavarësia e Kosovës.
Megjithatë, nuk duhet të jesh shumë i familjarizuar me zhvillimet politike në Kosovë në dymbëdhjetë muajtë e fundit, për të kuptuar që në realitet, asnjëra prej këtyre katër Marrëveshjeve sot nuk është në fuqi, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, apo që ato janë të paqëndrueshme, të mëdyshura, më së shumti prej vetë nesh, si pasojë e një çorodie dhe çrregullimi politik që është kryeveçoria e politikës kosovare tash e sa vjet.
Nuk jemi pra së bashku në përgatitjen e fazës finale të bisedimeve me Serbinë për ta bërë Marrëveshjen gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, edhe pse jemi të gjithë unik në qëndrimin kategorik që Marrëveshje në mes nesh dhe Beogradit nuk mund të ketë nëse Kosova dhe Serbia nuk do ta njohin njera-tjetrën, si dy shtete të pavarura, dhe poqëse kjo Marrëveshje nuk do ta mundësojë anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Raportet tona me Paktin NATO dhe me BE-në, për arsye të shumta, njohin një ftohje të pashembullt që prej çlirimit e këndej.
Por, gjë që gjithsesi këtu ka rëndësinë kryesore, ne jemi, si politikë kosovare, shumë afër situatës kur mund të na ndodhë një ftohje dramatike, me pasoja të paparashikueshme, me SHBA-në, që në çdo interpretim të mundshëm të historisë, vlenë si hisedari kryesor dhe vendimtar ndërkombëtar i çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.
Dihet si kemi mbërritë këtu.
Nuk na duhen analiza të mëdha, nuk na duhet fare kohë, për të kuptuar që kthimi në ‘binarët’ e këtyre katër Marrëveshjeje të Kosovës, është i domosdoshëm nëse duam ta ruajmë qëndrueshmërinë e këtij shteti, dhe nëse synojmë që brenda një periudhe afatmesme kohore ta arrijmë stabilitetin largëvajtës vendor dhe ndërkombëtarë të Kosovës.
Ky është interesi strategjik i politikës kosovar, i çdo qytetari të vendit, i shtetit të Kosovës. /Lajmi.net/