Katër ish-zyrtarë të Komunës së Gjakovës në arrest shtëpiak për parcelime të paligjshme të pronave publike
Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji për katër ish-zyrtarë të Komunës së Gjakovës, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas gjykatës, të dyshuarit A.B., ish-drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, dhe E.B., ish-udhëheqëse e Sektorit Urbanistik, dyshohet se gjatë viteve…

Lajme
Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji për katër ish-zyrtarë të Komunës së Gjakovës, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas gjykatës, të dyshuarit A.B., ish-drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, dhe E.B., ish-udhëheqëse e Sektorit Urbanistik, dyshohet se gjatë viteve 2018 dhe 2019 kanë miratuar parcelime të paligjshme të pronave publike në favor të palëve të treta – konkretisht personave A.L., M.Ll. dhe Sh.B. – duke dëmtuar pronën e Komunës së Gjakovës dhe të KBI-së në Gjakovë, transmeton lajmi.net.
Po ashtu, Prokuroria dyshon se A.L., ish-drejtoreshë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, si dhe juristi A.K., kanë tejkaluar kompetencat e tyre në vitin 2019 duke miratuar regjistrime të kundërligjshme të parcelave, në kundërshtim me ligjin për kadastër dhe atë për të drejtat e pronës së paluajtshme. Këto veprime dyshohet se kanë lejuar bartjen e pronave publike në emër të individëve të caktuar, duke dëmtuar interesin publik.
Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit për të pandehurit, por gjyqtari i procedurës paraprake vendosi se arresti shtëpiak është masë e mjaftueshme për të siguruar praninë e tyre gjatë procedurave dhe për të parandaluar përsëritjen e mundshme të veprës penale.
Masa e arrestit shtëpiak do të zbatohet nga data 23 korrik deri më 23 gusht 2025. Të pandehurit kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës kundër këtij vendimi./Lajmi.net/