Katër afate, asnjë i mbajtur: Rruga Prishtinë–Podujevë ende e papërfunduar – qytetarët të lodhur nga rruga e paasfaltuar

Gjatë mandatit katërvjeçar të Qeverisë Kurti 2, për përfundimin e rrugës Prishtinë–Podujevë janë dhënë katër afate të ndryshme – asnjëri prej tyre nuk është mbajtur. Fillimisht, në gusht të vitit 2021, vetëm pak muaj pas marrjes së pushtetit, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, premtoi se punimet në këtë aks do të…

Lajme

27/07/2025 13:44

Gjatë mandatit katërvjeçar të Qeverisë Kurti 2, për përfundimin e rrugës Prishtinë–Podujevë janë dhënë katër afate të ndryshme – asnjëri prej tyre nuk është mbajtur.

Fillimisht, në gusht të vitit 2021, vetëm pak muaj pas marrjes së pushtetit, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, premtoi se punimet në këtë aks do të përfundonin brenda po atij viti, transmeton lajmi.net

Më vonë, afati u shty për fundin e vitit 2022, për t’u zëvendësuar sërish me një tjetër zotim për përmbyllje deri në fund të vitit 2024. Ndërkohë që mandati i qeverisë ishte drejt fundit, u dha edhe një afat i katërt – pranvera e vitit 2025.

Pavarësisht këtyre premtimeve të përsëritura tashmë jemi në verën e vitit 2025 dhe rruga vazhdon të mbetet e papërfunduar.

Edhe sot vazhdon të jetë po gjendje e njëjtë, ku nga pamjet që ka siguruar Lajmi.net shihet se rrugët ende nuk e kanë marrë formën e duhur dhe se disa nga urat lidhëse nuk kanë përfunduar.

Të paktën nga pamjet në rrugë nuk shihen mjete të punës që dëshmojnë se kjo rrugë do të kryhet së shpejti.

Gjithashtu qytetarët vazhdojnë të ankohen në vazhdimësi për gjendjen e rrugës që shkakton kolon dhe vështirësi të mëdha në komunikacion.

Kujtojmë se kryeministri në detyrë Albin Kurti gjatë një tubimi elektoral në Podujevë në janar të këtij viti kishte dhënë një deklaratë për përfundimin e punimeve në rrugën Podujevë – Prishtinë.

“Rruga Podujevë – Prishtinë përfundon në pranverën 2025. Kësaj pritjeje të gjatë po i vjen fundi sepse Qeveria jonë e mirë ka punuar edhe me problemet në mangësitë në shpronësime edhe me projektimet e këqija. Rruga kryhet përgjithmonë në pranverën e sivjetshme”, shprehej Kurti.

Se kur pritet të përfundojë kjo rrugë ende nuk dihet dhe qytetarët mbesin në pritje të një vendimi serioz./Lajmi.net/