Kashmiri: Rajoni i Himalajeve në zemër të armiqësisë midis Indisë dhe Pakistanit

Reuters India nisi sulme në orët e hershme të mëngjesit të 7 majit kundër, siç i quajti, “kampeve terroriste” në Pakistan, përfshirë edhe territorin e kontestuar të Kashmirit. Sulmi erdhi pas vrasjes së 26 burrave, kryesisht turistë, në Kashmirin indian muajin e kaluar, në një sulm të kryer nga islamistë, për të cilin India fajësoi…

Bota

07/05/2025 13:37

Reuters

India nisi sulme në orët e hershme të mëngjesit të 7 majit kundër, siç i quajti, “kampeve terroriste” në Pakistan, përfshirë edhe territorin e kontestuar të Kashmirit.

Sulmi erdhi pas vrasjes së 26 burrave, kryesisht turistë, në Kashmirin indian muajin e kaluar, në një sulm të kryer nga islamistë, për të cilin India fajësoi Pakistanin.

Rajoni i Himalajeve me shumicë myslimane pretendon të administrohet si nga India, ashtu edhe nga Pakistani, dhe ka qenë shpeshherë arenë luftërash, kryengritjesh dhe përplasjesh diplomatike.

Cila është historia e këtij rajoni dhe pse vazhdon të jetë burim tensioni mes dy vendeve?

Ndarja dhe bashkimi me Indinë

Pas ndarjes së nënkontinentit në vitin 1947, kur India fitoi pavarësinë nga sundimi britanik, pritej që Kashmiri t’i bashkohej Pakistanit, ashtu si rajonet e tjera me shumicë myslimane.

Por, sundimtari hindu i Kashmirit donte të qëndronte i pavarur. Megjithatë, përballë një pushtimi nga fiset e armatosura myslimane që vinin nga Pakistani, ai vendosi t’i bashkohej Indisë në tetor të vitit 1947, në këmbim të ndihmës ushtarake.

Gjeografia dhe demografia

Në fund, Kashmiri u nda midis Indisë – që kontrollon Luginën e Kashmirit, Xhamunë dhe Ladakun – dhe Pakistanit, i cili administron pjesët e njohura si “Kashmiri i Lirë” (Azad Kashmir) dhe territoret veriore. Kina mban nën kontroll zonën e njohur si Aksai Çin.

Kashmiri nën administrimin indian ka rreth 7 milionë banorë, prej të cilëve afër 70 për qind janë myslimanë.

Neni 370 i Kushtetutës së Indisë

Neni 370 i Kushtetutës indiane parashikonte autonomi të pjesshme për Xhamunë dhe Kashmirin. Ky nen u hartua më 1947 nga kryeministri i atëhershëm i shtetit, sheik Abdullah, dhe u pranua nga kryeministri i parë indian, Jawaharlal Nehru.

Edhe pse u konsiderua si zgjidhje e përkohshme, asambleja kushtetuese e përfshiu atë në Kushtetutën e Indisë në vitin 1949.

Luftërat dhe konfliktet ushtarake

India dhe Pakistani kanë zhvilluar tri luftëra që nga pavarësia: dy prej tyre për shkak të Kashmirit (në vitet 1947 dhe 1965). Lufta e tretë, në vitin 1971, rezultoi në krijimin e Bangladeshit. Në vitin 1999 pati një tjetër përballje në rajonin Kargil, që shpesh përshkruhet si një luftë e pashpallur.

Rajoni është ndarë nga një vijë armëpushimi, e njohur si “Linja e Kontrollit”, e rënë dakord përmes ndërmjetësimit të Kombeve të Bashkuara.

Kryengritja

Prej vitesh, shumë myslimanë në Kashmirin indian janë të zemëruar për shkak të asaj që e shohin si sundim shtypës të Indisë. Kjo çoi në vitin 1989 në një kryengritje të armatosur të separatistëve myslimanë. India vendosi trupa ushtarake në rajon dhe dhjetëra mijëra njerëz u vranë.

India akuzon Pakistanin se stërvit dhe armatos militantët, ndërsa Pakistani e mohon këtë, duke thënë se ofron vetëm mbështetje morale dhe diplomatike.

Heqja e statusit special

Në gusht të vitit 2019, qeveria e kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, e shfuqizoi statusin gjysmëautonom të Kashmirit, me arsyetimin se kjo do të ndihmonte në integrimin më të mirë të rajonit me pjesën tjetër të Indisë.

Shteti u riorganizua në dy territore federale nën administrim të drejtpërdrejtë – Xhamu dhe Kashmir, dhe Ladak. Pakistani reagoi ashpër, duke ulur nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Indinë.

Vitet e fundit

Modi thotë se vendimi i vitit 2019 ka sjellë normalitet në Kashmir pas dekadash dhune.

Zyrtarët indianë thonë se dhuna është zvogëluar në vitet e fundit, me më pak sulme masive dhe një rritje të numrit të turistëve.

Megjithatë, vazhdojnë të raportohen vrasje të civilëve dhe pjesëtarëve të forcave të sigurisë.

Zgjedhjet e vitit 2024

Xhamu dhe Kashmiri mbajtën zgjedhjet e para lokale në vitin 2024, që prej heqjes së autonomisë më 2019. Disa nga ligjvënësit e porsazgjedhur kanë kërkuar rikthimin e pjesshëm të Nenit 370.

Partitë kryesore rajonale bojkotuan ose kritikuan zgjedhjet, duke thënë se fituesit nuk do të kenë fuqi reale politike.