Kasanof: Sulmet në veri të Kosovës synojnë destabilizimin

Përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Alexander Kasanof, dënoi ashpër sulmin e 29 nëntorit në veri të Kosovës, ku një shpërthim dëmtoi rëndë infrastrukturën e furnizimit me ujë. “Ai ishte një sulm i tmerrshëm. E kemi dënuar me fjalët më të forta të mundshme dhe do ta ritheksoj këtu që dënojmë çdo lloj sulmi të…

Lajme

20/12/2024 19:34

Përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Alexander Kasanof, dënoi ashpër sulmin e 29 nëntorit në veri të Kosovës, ku një shpërthim dëmtoi rëndë infrastrukturën e furnizimit me ujë.

“Ai ishte një sulm i tmerrshëm. E kemi dënuar me fjalët më të forta të mundshme dhe do ta ritheksoj këtu që dënojmë çdo lloj sulmi të tillë,” tha Kasanof në një intervistë për Zërin e Amerikës, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për hetimet.

“Po e ndihmojmë Kosovën dhe qeverinë e Kosovës që të kryejnë hetimin. Kemi vënë në dispozicion burime për këtë qëllim dhe mendojmë se është me rëndësi kritike që çdo hetim të ndjekë faktet në terren dhe të jetë i besueshëm,” shtoi ai.

Sulmi, sipas tij, është një akt që synon krijimin e destabilitetit në rajon.

“Akte të tilla janë jo vetëm të tmerrshme, por janë ndërtuar qartësisht për të krijuar destabilitet dhe i refuzojmë në mënyrën më të fortë,” deklaroi Kasanof.

Qasja ndaj dialogut Kosovë-Serbi

I pyetur për ndikimin e një administrate të re në Uashington dhe marrëdhëniet me qeverinë e Kosovës, Kasanof theksoi se mbështetja për Kosovën do të jetë e vazhdueshme.

“Kjo administratë, edhe teksa i afrohet fundit, mbetet e përqendruar tek ndihma për Kosovën, si në përpjekjet për reforma dhe integrim euro-atlantik, ashtu edhe në çështjet kyçe të dialogut të ndërmjetësuar nga BE,” tha ai.

Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, vuri në dukje rëndësinë e përparimit në dialogun Kosovë-Serbi, duke theksuar se SHBA do të vazhdojë të jetë një partner i fuqishëm për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal.

“Do të vazhdojmë t’u kërkojmë të dyja qeverive që të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për të arritur përparim në këtë proces,” përfundoi Alexander Kasanof, duke riafirmuar angazhimin e SHBA-së për një të ardhme paqësore dhe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.