“Karta Ruse” në dialogun e Brukselit

Në fund të këtij viti vitit, Presidenti i Serbisë Vuçiq i është kthyer, natyrisht, nga një drejtim tjetër, lojës me trenin lara-lara të janarit.

Opinion

28/12/2017 10:05

Aleksandar Vuçiq, Presidenti i Serbisë, gjatë qëndrimit të tij treditor në Moskë, ku pos tjerash u prit edhe nga homologu i tij rus, Vlladimir Putin, bazuar në deklaratat e tij publike, ka arritur të sigurojë përkrahjen për përfshirjen e diplomacisë ruse në fazën finale të dialogut të Brukselit.

Vuçiq, kur të mirren parasyshë prononcimet e tij pas këtyre takimeve, vlerëson që në xhepin e kostumit të tij zyrtar, para se të nisej për në Beograd, ka zënë vend edhe ‘karta ruse’, dhe që në këtë mënyrë, vetëm sa ka forcuar pozicionin e tij negociator, në dialogun gjithsesi të rëndë dhe të vështirë, që pritet të zhvillohet në vitin 2018, me synim të arritjes së Marrëveshjed ligjësisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në justifikimin e sigurimit të kësaj ‘karte’ me vlerë politike dhe diplomatike, Vuçiq pohoi që në të vërtetë, ajo është një lloj e ‘letrës garantuese’ për te dhe për Beogradin, një kundërpërgjigje ndaj deklaratave të kryepolitikanëve të Kosovës, (të javëve të fundit), të cilët insistojnë në përfshirjen amerikane në këtë dialog.

Nëse pra, kosovarët do të arrinë të sjellin diplomacinë amerikane në tryezën e negociatave të Brukselit, serbët do ta kenë të sigurtë që diplomacia ruse do ta zë ulësen tjetër rreth kësaj tryeze.

Kështu foli Vuçiq në Moskë dhe në Beograd.

Presidenti i Serbisë në këtë mënyrë, me një deklaratë të vetme, krijoi një skemë me pretendime të mëdha, në shpjegimin inicial të fazës përfundimtare të dialogut në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, sipas të së cilës del që Amerika është me Kosovën, Rusia është me Serbinë. Ta merr mendja që jemi diku në kulminacionin e ‘Luftës së Ftohtë’, dhe që Washingtoni dhe Moska do të përdorin të gjitha mjetet e mundshme politike, diplomatike (besa nëse duhet, edhe do mjete të tjera), në mbrojtjen e ‘sferave të interesit’ në këto anë të Evropës dhe të Ballkanit, ku ‘palët konfrontuese’ janë Kosova dhe Serbia.

Para se të gjithash, nuk ka dhe nuk mund të ketë paralelizëm në mes të Washingtonit dhe Moskës në dialogun e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, për shkak të vetë përvojës së deritashme në bisedimet e lehtësuara nga ana e Përfaqësueseve të larta të BE-së, Catherine Ashton dhe Federica Mogherini.

Diplomacia amerikane, që nga fillimi i bisedimeve të fundit në mes të Prishtinës dhe Beogradit  (apo, që nga marsi i vitit 2011), me pajtimin e plotë të dy palëve, dhe me insistimin e vet instancave supreme të Brukselit, ka qenë në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë, e inkuadruar në këtë dialog. Së pari, Phil Reeker, Zëvëndës-Asistent Sekretari i shtetit, ka qenë madje i pranishëm brenda dhomës së takimeve të Edita Tahirit dhe Borko Stefanoviqit, të udhëhequra nga Robert Cooper. Së dyti, Phil Reeker dhe më pas Hoyt Jee, kanë pasë një rol shumë të rëndësishëm në përkrahjen e përpjekjeve të Ashton dhe Mogherinit për të mbërri tek Marrëveshjet politike në mes të zyrtarëve të Prishtinës dhe Beogradit.

Diplomacia ruse deri më tash së paku, nuk ka treguar farë interesi për të qenë pjesë e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në anën tjetër, Presidenti Vuçiq, me apo pa qëllim  (kjo këtu nuk ka fort rëndësi), me këto prononcimet e tij paralajmëron jo vetëm ndryshimin e formatit të bisedimeve  (me pjesëmarrjen eventuale edhe të Rusisë në to), por ndryshimin e konceptit të tyre.

Deri më tash së paku, ‘palca kurrizore’ e dialogut të cilit i prinë Brukseli ka qenë motivimi evropian për Prishtinën dhe Beogradin, apo, shtytja që Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet në mes tyre, sepse te dy këto shtete duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Kështu, Marrëveshja ligjësisht detyruese e Kosovës dhe Serbisë, do të përshpejtonte inkuadrimin e këtyre dy shteteve në BE, dhe për më shumë, do t’i bënte fituese te dy këto shtete.

Me arsyetimet dhe shpjegimet e fundit të Vuçiqit, po del që ideja e Brukselit si një kryeqendër e përbashkët ndërkombëtare e Kosovës dhe Serbisë, si ‘fuqi lëvizëse’ e këtyre bisedimeve, mund të zëvëndësohet, nëse tash e tutje do të kemi praninë amerikane dhe ruse në këtë dialog, me një skemë që kthen modelin gjeo-strategjik në negociatat në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Me këtë model, nuk mund të ketë fitues të dyfishtë. Dikush humb dhe dikush fiton.

Duket që në fund të vitit, Vuçiq i është kthyer, natyrisht, nga një drejtim tjetër, lojës me trenin lara-lara të fillimvitit.